OKB-ja e shqetësuar nga rritjen e numrit të civilëve të vrarë në Afganistan

25 shtator 2018 | 17:42

Misioni për Asistencë i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA) ka ngritur shqetësimet mbi “rritjen” e numrit të viktimave të civilëve, si rezultat i sulmeve ajrore nga koalicioni ndërkombëtar apo nga Forcat Ajrore të Afganistanit.

UNAMA ka theksuar të martën se ka pranuar informacione “të shumta dhe kredibile” se një sulm ajror ka goditur shtëpinë e një mësuesi në provincën lindore të Kapisa javën e kaluar, ku janë vrarë nëntë anëtarë të një familjeje.

Në mesin e të vrarëve në sulmin e 22 shtatorit janë tre gra dhe katër fëmijë, thuhet në njoftim. Po ashtu, gjashtë të tjerë janë plagosur.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes afgane, Mohammad Radmanish, ka konfirmuar se ka pasur viktima civile në operacionin ajror që është zhvilluar nga pala afgane dhe forcat e Shteteve të Bashkuara, që kanë ofruar mbështetje ajrore. Ai nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë incident, por ka shtuar se ky rast është duke u hetuar.

Ushtria amerikane në Kabul tha se po rishikon informacionet lidhur me incidentin në Kapisa.

“Nuk është e pazakontë që kryengritësit të përdorin këso akuzash për të krijuar përçarje në mes të ushtrisë dhe popullatës. Ne do të ofrojmë informacione të reja, kur t’i kemi”, është thënë në një deklaratë të ushtrisë dërguar agjencisë “Reuters”.

Misioni për Asistencë i OKB-së u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt që “t’ju përbëhen obligimeve të tyre që të mbrojnë jetët e civilëve”.

Numri i civilëve të vrarë apo të plagosur nga sulmet ajrore në Afganistan është 52 për qind në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, thuhet në të dhënat e publikuara nga OKB-ja. Kjo organizatë ka thënë se 149 civilë janë vrarë dhe 204 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore gjatë kësaj periudhe, duke shtuar se mbi gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Miliarderi rus, Roman Abramovich, është shumë pranë shitjes së klubit…