OKB-ja thotë se nga luftimet në Tripoli janë vrarë 121 persona

14 prill 2019 | 13:19

Agjencia për Shëndetësi e Kombeve të Bashkuara, ka bërë me dije se nga luftimet që po vazhdojnë ndërmjet milicive rivale për kontrollin e kryeqytetit libian, Tripoli, janë vrarë të paktën 121 persona.

Organizata Botërore për Shëndetësi (OBSh) ka theksuar sot se 561 persona janë plagosur që prej kur e vetëquajtura Ushtria Kombëtare e Libisë nisi një ofensivë ushtarake më 5 prill.

OBSh-ja në Libi përmes një postimi në “Twitter” ka deklaruar se organizata ka dërguar furnizime me barna dhe më shumë staf në Tripoli, teksa denoncoi “sulmet e vazhdueshme ndaj punëtorëve shëndetësorë dhe makinave të tyre”, që prej se nisën luftimet.

Libia është e ndarë ndërmjet qeverive rivale në lindje dhe perëndim të vendit dhe këto qeveri, mbështeten nga milici të ndryshme.

Komandanti Khalifa Haftar udhëheq të ashtuquajturën Ushtria Kombëtare e Libisë dhe forcat e tij, po luftojnë kundër trupave të Qeverisë në Tripoli, që mbështetet nga OKB-ja.

Haftari ka refuzuar thirrjet ndërkombëtare që të ndërpresë luftimet, që kanë lënë të vdekur dhjetëra persona.

Më herët gjatë kësaj jave, OKB-ja ka thënë se mbi 8 mijë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftimeve.

Rusia mbështetë Haftarin, së bashku me Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Libia, një vend i pasur me naftë, që prej vitit 2011, kur udhëheqësi i atëhershëm Muammar Gaddafi u rrëzua nga pushteti, është duke u përballur me dhunë dhe paqëndrueshmëri politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, ka thënë se…