OPEC+ dakordohet ta ulë prodhimin e naftës – pritet rritje e çmimit

06 tetor 2022 | 14:17

Aleanca prej 23 anëtarësh OPEC + ra dakord për një ulje të madhe të prodhimit të naftës të mërkurën gjatë një takimi në Vjenë.

Organizata përbëhet nga 13 prodhuesit kryesorë të naftës të OPEC-ut, si dhe 10 vendeve të tjera jo-OPEC, përfshirë Rusinë.

Për çfarë ka rënë dakord OPEC+?

Guvernatori i OPEC-ut iranian Amir Hossein Zamaninia tha se grupi ra dakord tpër reduktimin e prodhimit të naftës me 2 milionë fuçi në ditë duke filluar nga muaji nëntor. Ulja ka të ngjarë të çojë në një rritje të çmimit të naftës.

Organizata tha në një deklaratë se vendimi bazohej në “pasigurinë që rrethon perspektivat globale ekonomike dhe të tregut të naftës”.

Ministri saudit i Energjisë, Abdulaziz bin Salman tha se OPEC është një “forcë moderatore” dhe synon “të sjellë stabilitet”. Ai shtoi se OPEC+ synon të qëndrojë “përpara kurbës” përballë një “periudhe pasigurish të ndryshme”.

Kjo aleancë tha se do ta rinovojë bashkëpunimin midis anëtarëve dhe jo anëtarëve të OPEC, i cili do të përfundojë në fund të vitit.

Çmimet e naftës së papërpunuar kanë rënë në muajt e fundit mes shqetësimeve për rënien e kërkesës dhe mundësinë e një recesioni global.

Një rritje e çmimit të naftës së papërpunuar mund ta ndihmojë Moskën, e cila po përballet me një ndalim të BE-së për shumicën e eksporteve të saj të papërpunuara që do të hyjë në fuqi në muajin dhjetor dhe një përpjekje nga anëtarët e G7 për t’i kufizuar çmimet e naftës ruse.

Në korrik, presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje Arabisë Saudite që ta rrisë prodhimin e naftës. Më vonë, OPEC + ra dakord për ta rritur prodhimin.

Reduktimi më i madh që kulminacioni i COVID-19

OPEC+ uli prodhimin me pothuajse 10 milionë fuçi në ditë në muajin prill të vitit 2020, në mënyrë që ta frenojë një rënie të madhe të çmimeve të naftës së papërpunuar mes bllokadave dhe kufizimeve si pasojë e COVID-19.

Vendimi i sotëm shënon uljen më të madhe të prodhimit që nga reduktimi i vitit 2020.

OPEC+ filloi ta rrisë prodhimin vitin e kaluar pas përmirësimeve në treg dhe prodhimi u kthye në nivelet para pandemisë.

Disa anëtarë të organizatës, përfshirë Rusinë, tashmë kanë luftuar për t’i përmbushur kuotat e vendosura nga grupi, të cilat mund ta kufizojnë ndikimin e marrëveshjes së OPEC + për ta ulur prodhimin.

SHBA e konsideron vendimin si ‘shkurtpamës’

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan Joe Biden është “i zhgënjyer” me vendimin “shkurtpamës” të aleancës për ta ulur prodhimin.

“Presidenti është i zhgënjyer nga vendimi shkurtpamës i OPEC+”, thanë në një deklaratë Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan dhe këshilltari i lartë ekonomik Brian Deese.

Vendimi i OPEC+ do t’i godasë vendet që “tashmë janë duke u tërhequr” nga çmimet e larta, thuhet në deklaratë. Ai shtoi se “ekonomia globale po përballej me ndikimin e vazhdueshëm negativ” të pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Biden do të vazhdojë të drejtojë lëshimet nga Rezerva Strategjike e Naftës e Uashingtonit sipas nevojës. Ai gjithashtu i bëri thirrje Kongresit që të gjejë mënyra për ta rritur prodhimin e energjisë në SHBA dhe për ta reduktuar kontrollin e OPEC-ut mbi çmimet globale, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë./Deutsche Welle

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli televiziv, Khloe Kardashian ka folur në mbrojtje të motrës…