Operacion në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë – arrestohen 11 persona për afera me patentë shoferi

29 maj 2025 | 18:28

Policia e Kosovës ka arrestuar në Prishtinë, Gjilan e Gjakovë 11 persona, përfshirë zyrtarë, nën dyshimin për dallavere me patenta shoferi.

Siç ka njoftuar Policia të enjten, gjatë ditës ka realizuar planin operativ “Patenta” duke kontrolluar 10 lokacione të ndryshme në këto tri komuna. Lokacionet përfshinin shtëpi private, zyra rajonale të Ministrisë së Infrastrukturës, koordinatorë/ekzaminerë dhe biznese me veprimtari të autoshkollës.

Sipas njoftimit, hetimet kanë nisur muaj më parë dhe janë aplikuar masa të veçanta për të siguruar dëshmi të mjaftueshme për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pranim ryshfeti, ushtrim ndikimi e armëmbajtje pa leje.

“…duke u dëshmuar se njëmbëdhjetë të dyshuar meshkuj kosovarë në forma të ndryshme në vazhdimësi kanë ndihmuar kandidatë të shumtë për tu pajisur me patentë shofer të kategorive të ndryshme, me qëllim të përfitimit material për vete apo për persona të tjerë, gjithnjë në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftim.

10 prej të arrestuarve janë dërguar në mbajtje prej 48-orësh e një është liruar në procedurë të rregullt.

Si prova janë sekuestruar: një AK47, dy revole, 224 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, para të gatshme (16.145 euro dhe 6660 franga zvicerane), 17 telefona mobilë, 3 kompjuterë, 2 USB si dhe dokumentacion relevant për procedurë të mëtejme hetimore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot 29 majin…