Kryetari Faton Peci mbajti takimin publik me qytetarët për vitin 2025
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka mbajtur takimin publik me qytetarë për vitin 2025, në kuadër të obligimeve ligjore dhe angazhimit për një qeverisje të hapur dhe transparente.
Kryetari Peci ju uroj mirëseardhje të pranishmëve dhe shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë, duke theksuar se do ta ushtrojë detyrën me përgjegjësi, përkushtim dhe pa dallime, në shërbim të zhvillimit të komunës dhe mirëqenies së qytetarëve.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarë, Peci u zotua për transparencë maksimale dhe qasje të hapur për të gjithë, rregullimin e kaosit urban në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, zgjidhjen e çështjes së parkingjeve përmes menaxhimit komunal dhe inkasimit të rregullt të të hyrave, rregullimin e tregut dhe ndalimin e shitjes së produkteve në rrugë me fokus në sigurinë ushqimore, trajtimin institucional të çështjes së qenve endacakë, si dhe tema tjera me interes për qytetarët.
Qytetarët parashtruan pyetje, kërkesa dhe propozime që lidhen me kushtet e jetesës, infrastrukturën dhe shërbimet publike, ndërsa kryetari i Komunës iu përgjigj të gjitha çështjeve të ngritura, duke ofruar sqarime dhe duke u zotuar për trajtimin e tyre në përputhje me planet dhe mundësitë e komunës.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të dialogut ndërmjet institucionit komunal dhe qytetarëve, në funksion të një qeverisjeje të përgjegjshme dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Mitrovicës së Jugut.



