Opozita e kritikon qeverinë për mungesë të transparencë në dialog, pozita fajëson Vuçiqin

23 qershor 2021 | 11:41

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur të mërkurën një konferencë me temën: “Kapitull i ri i dialogut Kosovë-Serbi?”.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësuesit e partive në pushtet dhe të opozitës.

Jeta Krasniqi nga KDI-ja ka thënë se pa marrë parasysh se dialogu i takon institucioneve shtetërore, ai prek jetën e qytetarëve dhe në këtë drejtim shoqëria civile është marrë me këtë proces.

Krasniqi ka thënë se ndryshe nga qeveritë e kaluara Qeveria Kurti nuk e ka vendosur prioritet dialogun, por që është detyruar të merret shumë shpejt më të.

“KDI-ja ka asistuar Kuvendin e Kosovës që të jetë sa më i përfshirë në këtë proces. Ka pasur ngritje dhe ulje ky dialog, ku janë evidentuar disa momente të veçanta. Gjatë vitin 2020 pamë rënie të dy qeverive dhe ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, kurse në 2021 po thuhet se po bëhet një rifillim. Qeveria Kurti ka thënë se dialogu nuk është një nga çështjet prioritare, por e pamë që kërkesat që vinin nga jashtë e bën që dashtë e pa dashtë të diskutohet kjo çështje”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa hulumtuesja nga KDI-ja, Violeta Haxholli, ka thënë se dialogu ka qenë dhe mbetet sfidë për Kosovën, i cili ka shkaktuar kriza të brendshme.

Haxholli ka treguar se KDI-ja i ka rekomanduar Qeverisë Kurti të hartojë një platformë dhe strategji për dialogun.

“Dialogu ka qenë sfidë i secilës qeveri. Nga fillimi i procesit është bërë një dekadë me 35 marrëveshje. Efektet e dialogut kanë qenë të shumta në aspektin e jashtëm e të brendshëm. Në aspektin e brendshëm ka shkaktuar kriza dhe vazhdon të jetë ashtu. Kjo temë vazhdon të jetë një nga temat qendrore. Kosova e Serbia kanë vlerësime ndryshe për dialogun andaj marrëveshja shihet larg” ka thënë ajo.

Në anën tjetër, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se këtë herë Kosova ka shkuar në dialog e bashkëkoordinuar ndërmjet palëve. Por sipas Kusari-Lilës pa marrë parasysh se si paraqitet Kosova dialogu me një person si presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është vështirë të ketë rezultat.

“Një prej temave kritike që bëhet pjesë e agjendës së Qeverive është dialogu. Çka ka ndryshuar tani është se ka një bashkëkoordinim dhe unitet në raport me qëndrimet e presidentes, kryeministrit e qeverisë. Ne të gjitha përpjekjet mund t’i bëjmë në Kosovë, por dialogu mund të mos ketë rezultat për faktin se në anën tjetër është një udhëheqës si Vuçiq. Kurti ka propozuar katër propozime në Bruksel që është hap avancues sepse ka pasur edhe elaborim të tyre”, është shprehur ajo.

Më tutje, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se dialogu ndër vite ka sjellë rezultate pozitive pa marrë parasysh rolin jokonstruktiv të Serbisë.

“Kur flasim për dialogun na krijohet përshtypja që po flasim për një çështje politike të brendshme. Kosova është një palë në këtë proces. Mendoj që dialogu ka sjellë rezultate pozitive në disa fusha dhe kemi parë një rol jokonstuktiv nga ana e Serbisë. Kemi pritur që ky do të jetë një fillim i ri nga Qeveria Kurti, bazuar në kushtet që Kurti për një kohë të gjatë ka proklamuar në Kuvend për gjashtë vite”, është shprehur Tahiri, duke shtuar se ka pasur mungesë transparence nga ana e Qeverisë Kurti para shkuarjes në dialog.

Ai e ka vlerësuar të gabuar qasjen e Qeverisë Kurti në raport me dialogun,  e cila sipas tij nuk ka kërkuar ndihmë dhe unitet.

“Kurti para se të shkonte në dialog ka lexuar një raport pa thënë asgjë për qëndrimet dhe synimet e tij që ai përfaqëson në tavolinën e bisedimeve. Nuk ka pasur fare transparencë nga kjo qeveri ku kemi një lloj amullie, por edhe në fushat tjera. Nëse nuk është shumë e përgatitur qeveria për ekonomi e shëndetësi duhet të jetë e përgatitur për dialogun. Në këtë rast nuk kemi kujt më i ndihmuar e me i’u bashkuar sepse kjo as nuk kërkohet nga kjo qeveri që e shoh një qasje të gabuar. Nuk besoj që qëllimi final do të jetë njohja, pa qenë pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe  pa qenë pjesë e OKB-së”, është shprehur Tahiri.

Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka folur për mungesë të transparencës dhe mospërgatitjes të Qeverisë Kurti për procesin e dialogut.

Selmanaj është shprehur se nuk di se cilat janë parimet dhe qëndrimet e qeverisë për dialogun.“Kjo temë është bërë klishe sepse ka 10 vjet e që po diskutojmë gjërat e njëjta dhe metodologjitë e njëjta, vetëm njerëzit po ndryshojnë. Ne nuk e shohim si një proces të ri, por që ka dalë si rezultat i obligimeve ndërkombëtare. Si LDK shohim që nuk ka përgatitje për ketë temë, e pozicion të qartë për këtë proces. Ka një mungesë transparence. Unë nuk di cilat janë parimet e kësaj qeverie për dialogun. Po shohim një qasje joaktive të kësaj qeverie për të përfshirë ShBA-të bë këtë proces. Ftoj kryeministrin të distancohet nga deklarimet e zëdhënësit të tij lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit sepse ajo ka ndikim të fuqishëm në vend”, ka thënë ai.

Kurse shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur lëvizje të pamatur vendosjen e dialogut si prioritet të gjashtë në programin qeverisës nga Qeveria Kurti.

“Kryeministri Kurti ka bërë dy lëvizje të pamatshme, ka folur për dialogun si një prioritet të gjashtë a shtatë kurse tani dialogu po lenë anash shumë tema. Është një proces shumëkonsumues i secilës qeveri. Ne si parti opozitare jemi shumë serioz edhe pse jemi pakicë, ne kërkojmë llogaridhënie”, ka thënë Tahiri, duke komentuar edhe propozimet e kryeministrit Kurti në Bruksel për të cilat ka thënë se kanë qenë një taktikë katastrofale.

“Vuçiq dhe ‘non paper’ që po dalin janë tema që po dalin me hap debat publik që ne me pas pozicion reaktiv dhe jo proaktiv. Qeveria Kurti nuk ka pasur strategji, por ka pasur taktikë. Ka punuar meqë i ka dërguar atje propozimet, por që këto taktika ishin katastrofë. Tentoi ta bëjë  CEFTA-në, SEFTA. E vërteta jonë është që ne kemi akoma të pagjetur dhe kurrë nuk duhet me ikë kësaj kërkesa. E vërteta jonë është që jemi shtet”, është shprehur Tahiri.

Gjithashtu, Tahiri ka theksuar se AAK-ja nuk pranon në asnjë formë, Asociacion të komunave me shumicë serbe  me kompetenca ekzekutive. Tema e dialogut është temë nacionale dhe nuk është ekskluzive e askujt dhe ne si parti do ta ushtrojmë rolin tonë që të kontribuojnë. Asociacion me kompetenca ekzekutive nuk pranojmë në asnjë formë. Palët po dihen por ka rëndësi edhe kush është ndërmjetësuesi, pa ShBA-në në tavolinë dialogu me Serbinë nuk ka zgjidhje”, ka deklaruar Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka marrë vaksinën e kompanisë Moderna,…