Opozita kërkon krijimin e Komisionit hetimor për rastin e shtetasve turq

01 prill 17:37

Pas arrestimit nga Policia e Kosovës të gjashtë shtetasve turq, dhe dëbimit të tyre për në Turqi, veprim ky për të cilin tre liderët më të lartë të shtetit, presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri Kuvendit, dolën me qëndrime, duke konfirmuar se nuk ishin në njohuri për këtë operacion, partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës janë duke kërkuar raportim rreth këtij veprimi nga zyrtarët përgjegjës.

Udhëheqësit e institucioneve qendrore në Kosovë kanë pranuar se deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova, pesë nga ta punonjës të Institucionit Arsimor “Gulistan”, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, si dhe një mjek turk në Kosovë, ka qenë gabim.

Pesë prej personave të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

Për këtë, grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës me mbështetjen e atij të Vetëvendosjes dhe Grupit të Deputetëve të Pavarur, kanë filluar procedurat për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për këtë rast.

Seanca e jashtëzakonshme është thirrur për të martën për, siç është thënë “shkeljen e Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës lidhur me deportimin e shtetasve turq”.

Ilir Deda, deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës nga Alternativa, e cila është pjesë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, duhet të ketë rezultat krijimin e Komisionit hetimor parlamentar për rastin e gjashtë shtetasve turq.

“Rezultat i kësaj seance duhet të jetë pajtimi i të gjitha partive politike që të krijohet një Komisioni hetimor parlamentar, që në mënyrë institucionale i identifikon shkelësit e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka thënë Deda.

Kurse, Nisma Socialdemokrate ka kërkuar hetim parlamentar për këtë çështje, pasi, sipas kësaj partie, “transparenca e plotë dhe përgjegjësia e të gjithë njerëzve të përfshirë në këtë veprim, është minimumi i asaj që duhet të bëhet urgjentisht”.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës kanë thënë të shtunën se kanë urdhëruar hetime gjithëpërfshirëse në të gjitha institucionet e përfshira në operacionin e arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Familjet e të dëbuarve kanë kërkuar garanci nga Kosova se nuk do të deportohen edhe ato. Familjet e të dëbuarve kanë kërkuar garanci nga Kosova se nuk do të deportohen edhe ato.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve të sigurisë për aksionin e dëbimit dhe më pas ka premtuar se veprime të tilla më nuk guxojnë të përsëriten, ka kërkuar hetim si nga AKI-ja, ashtu edhe nga institucionet tjera përgjegjëse.

“Kam kërkuar nga institucionet përgjegjëse për zhvillimet rreth ndalimit, revokimit të lejeve qëndrimit dhe deportimit të shpejtë dhe të fshehtë të gjashtë shtetasve turq”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të shtunën se rasti po hetohet nga organet kompetente. Madje, ai ka thënë se posedon një raport të detajuar nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës (AKI), ku thuhet se arsyeja e deportimit të gjashtë shtetasve turq ka të bëjë me veprime të paligjshme në Kosovë.

Edhe Avokati i Popullit, për këtë rast ka vendosur të hapë rast “ex officio”, për të hetuar në detaje veprimet e ndërmarra nga autoritetet publike.

Aksioni i deportimit të gjashtë shtetaseve turq, që u ndërmor më 28 mars u raportua si një veprim i përbashkët i shërbimeve inteligjente të Turqisë dhe Kosovës.

Pas dëbimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte liruar nga detyra (që nënkuptonte shkarkimin) ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI),…