Opozita: Ndërhyrjet ndaj KShC-së, të dëmshme

18 korrik 2019 | 17:07

Pas dështimit të mbledhjes së Komisionit për Arsim, i cili në rend dite kishte diskutimin për gjendjen e krijuar pas vendimeve të fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), deputetët e opozitës kanë kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi sqarime të bazuara rreth deklaratave dhe akuzave ndaj këtij këshilli.

Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi, i ka cilësuar si ndërhyrje politike dhe të dëmshme për sistemin arsimor deklaratat e kryeministrit dhe ministrit.

Ai ka thënë se KShC-ja do të duhej t’i bëjë publike raportet e ekspertëve dhe procedurat mbi çfarë baze janë marrë vendimet për mosakreditimin e programeve në tri universitet publike.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka thënë se reagimet e kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Bytyqi ndaj vendimeve të KShC-së janë të papranueshme në KShC, pasi sipas saj ky institucion duhet të marrë vendime të pavarura.

Bunjaku-Rexhepi ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri Shyqiri Bytyqi është dashur të marrin mësim nga ndërhyrja e kaluar, e cila ka rezultuar me përjashtim nga ENQA-ja dhe EQAR-ja.

Në anën tjetër, deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që t’i sqarojë akuzat ndaj bordit të KShC-së.

Kurse, deputeti i PSD-së, Driton Çaushi, ka theksuar se KShC-ja për herë të parë ka dhënë një shpresë se janë duke e kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur.

Pavarësisht kësaj, KShC-ja nuk është duke arritur ta kryejë punën e pavarur, gjë e cila rrezikon anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare për shkak të ndërhyrjeve politike.

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) që të mos akreditojë për këtë vit tri universitetet publike, atë të Prizrenit, Mitrovicës dhe Pejës është pritur me kundërshtime dhe akuza, sidomos nga përfaqësuesit e partive në pushtet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë…