Opozita pret të rekomandohet shkarkimi i bordit të ZRrE-së

23 maj 2022 | 13:03

Opozita po pret që shkarkimi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) të rekomandohet nga Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se bordi i ZRrE-së “e ka qitë në lajthitje Kuvendin dhe institucionet e tjera”.

“Po presim që sot, komisioni përkatës funksional, i cili besoj është ende në mbledhje të marrë vendim, pra t’i rekomandojë Kuvendit shkarkimin e këtij institucioni”, ka thënë ai.

Në rast se ky komision nuk e rekomandon shkarkimin e bordit të ZRrE-së, Gashi ka thënë se do të tentojnë të arrijnë këtë në rrugë të tjera.

“Ne presim që sot komisioni përkatës ta rekomandojë shkarkimin. Nëse nuk e rekomandon komisioni, atëherë do të shohim rrugë tjera”, ka thënë ai.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka njoftuar se e kanë dorëzuar kallëzim penal kundër bordit të ZRrE-së. Ai e ka thënë se PDK-ja e cilëson vepër penale atë që ZRrE-ja dhe kryesuesi i saj është duke e bërë.

“Kemi marrë njoftim zyrtar nga Prokuroria Speciale që një çështje e tillë është duke u trajtuar”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa deputeti i LV-së, Armend Muja, ka thënë se gjykata nuk e ka kundërshtuar vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës.

“Gjykata e ka aprovuar kërkesën e PDK-së që të pezullohet vendimi deri sa të ketë aktgjykim të formës së prerë”, ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka pasur komente edhe lidhur me kërkesën e opozitës për shkarkimin e bordit të ZRrE-së.

“Është në vazhdën e traditës së tyre. Çdo bord që s’iu shkon për shtati këta lypin me e shkarkuar”, ka thënë Muja.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është duke diskutuar me bordin e ZRrE-së, pas situatës se krijuar nga aktvendimi i Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike.

Kryesuesi i komisionit, Ferat Shala, ka thënë në fillim të mbledhjes se “kërkesa e bordit të ZRrE-së ka qenë që ta kemi një takim konsultativ”, ndërsa ka treguar se kërkesën e tyre e kanë pranuar. Më pas ai ka ftuar mediat të dalin jashtë.

Ish-kryeministri dhe deputeti i PDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar për këtë, duke pyetur se “pse raportimi i ZRRE-së në Komisionin për Ekonomi duhet të jetë me dyer të mbyllura?!”.

Në Kosovë pritet të rikthehen tarifat e vjetra të energjisë elektrike, pasi Gjykata e Apelit para 5 ditësh vërtetoi një vendim të Themelores në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja.

Apeli ka vendosur pas ankesës së ZRrE-së, duke thënë se ishte e pabazuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 prill kishte marrë vendimin për pezullimin e vendimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ky ishte një sezon i veçantë në Serie A, kjo…