Organizata për Bashkëpunim Islamik u bën thirrje vendeve anëtare të njohin pavarësinë e Kosovës

10 dhjetor 13:58

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka mirëpritur miratimin e rezolutës për Kosovën të Këshillit të Ministrave të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), në sesionin e 47-të të saj, mbajtur në Niamey, kryeqytetin e Niger.

Sipas njoftimit për medie, përmes kësaj rezolute, shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik u bëjnë thirrje vendeve anëtare, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, që të veprojnë në njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, duke shtuar se kjo do t’i shërbente paqes në rajon dhe më gjerë.

“Në rezolutë përpos tjerash nënvizohen të arriturat e Republikës së Kosovës në fuqizimin e demokracisë dhe ndërtimin e institucioneve funksionale. Po ashtu, në rezolutë përmendet stabiliteti në vend, respektimi i të drejtave të njeriut sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat janë të mishëruar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.

Organizata për Bashkëpunim Islamik, gjithashtu, mirëpret bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me institucionet ekonomike dhe financiare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, ndërsa u bën thirrje vendeve anëtare të saj të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve amerikanë, përfshirë edhe zyrtarë…