ORGANIZATA “SHQIPTARËT E BASHKUAR”-MICHIGAN LETËR ALI AHMETIT:”SHBA ËSHTË ME TY VËLLA ALI AHMETI”

22 qershor 2020 | 23:18

Nga Organizata “Shqiptarët e Bashkuar”-Michigan

I nderuari lider i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,
I nderuari vëlla, mik e atdhetar,
Z. Ali Ahmeti,

Na lejoni të shprehim konsideratën tonë të thellë, për zotimet e realizuara, si ndaj qytetarëve, ashtu edhe partnerëve ndërkombëtarë, duke e radhitur kombin shqiptar në Maqedoninë e Veriut si komb shtetformues dhe me përdorim të gjuhës amtare dhe simboleve kombëtare.

Jemi dëshmitar, për zhvillimin e vendit dhe shqiptarëve, në veçanti për 20 vitet e fundit, hapjen e tri universiteteve publike dhe një vale të re të të rinjve të arsimuar njëherësh drejtues të institucioneve që na bëni krenar,

Jemi përkrahës të ngritjes së cilësisë së jetës së shqiptarëve, në çdo pjesë të Maqedonisë së Veriut, me tërheqjen e investimeve të huaja, krijimin e kushteve për të bërë biznes dhe duke u bërë vend atraktiv për bashkëpunim, në veçanti në zonat ku jetojnë shqiptarët,

Jemi dashamirë të zhvillimit Tuaj, sepse, kur ju jeni mirë, edhe ne në diasporë, jemi mirë, por sukseset Tuaja në këto 20 vite janë të pamohueshme, andaj, shtrohet pyetja, a munden shqiptarët të bëjnë më shumë për vete dhe bashkëkombësit e vet,

Përgjigja është Po, dhe jehon sikur zëri që jehon në grykat e Malësisë tonë, PO, ju mundeni më shumë, shqiptarët munden më shumë.

Sonte morëm lajme të jashtëzakonisht të mira nga Lugina e Preshevës. Lajmi ishte i jashtëzakonshëm, sepse për herë të parë do të kenë më shumë deputetë, fal bashkimit të shqiptarëve në një listë. Ky bashkim në Luginë, tashmë duhet të jetë mësim për të gjithë ne.

Këtë mësim e morëm nga Tuzi, kur për herë të parë, pas dhjetëra vitesh, udhëhiqet nga shqiptarët, sepse, të gjithë së bashku u bashkuam në një listë zgjedhore.

Z. Ali Ahmeti,

Ne, anëtarët e Organizatës “Shqiptarët e Bashkuar”,
Me konsideratën më të lartë për rrugën Tuaj atdhetare,
Me nderimin më të lartë për Juve si politikan e drejtues i UÇK-së,
Me respektin më të thellë për përkushtimin rreth bashkimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,
Për përkushtimin Tuaj për anëtarësim në NATO dhe BE, për miqësinë me Amerikën, si miqësi e përjetshme e kombit shqiptar, si e vetmja fuqi botërore e cila na u gjete në çastet më të rënda kur kombi ynë ishte buzë copëtimit dhe zhdukjes nga gjeografia e shteteve, në veçanti kontributit amerikan për çlirimin e Kosovës,

Ne ju përkrahim fuqishëm, si asnjë herë më parë.
Ju përkrahim të bashkoheni në një qëllim, për Kryeministrin shqiptar.

Ju urojmë për iniciativën që kryeministri i ardhshëm është e mundur të jetë shqiptar, andaj, urojmë të vazhdoni në bashkimin e faktorit shqiptar për Kryeministrin shqiptar.

Ju përgëzojmë për ofrimin e dorës së bashkëpunimit me të gjitha partitë shqiptare.
Ju përgëzojmë për identifikimin e rrugës së bashkimit dhe prosperitetit,
Kërkojmë nga Ju, të vijoni të punoni për bashkimin e shqiptarëve, për të arritur suksesin e ngjashëm si në Luginën e Preshevës,

Sepse, vota e bashkuar, ju fuqizon në Parlament,
Vota e bashkuar ju jep fuqi në qeverisje qendrore e lokale,
Vota e bashkuar ju jep kredenciale që deri sot nuk i kemi pasur,

Vazhdoni me shtrirjen e dorës për bashkim!
Krijoni besim e mirëbesim nacional edhe aty ku nuk ishte,
Sepse ia keni borxh flamurit kombëtar,
Ia keni borxh kombit shqiptar dhe shokëve tuaj që dhanë jetën në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe frontet e luftës çlirimtare në Maqedoninë e Veriut.

Të bashkuar sot, fitoi Lugina e Preshevës,
Të bashkuar do të fitoni Ju në Maqedoninë e Veriut,
Të bashkuar do të fitojmë edhe në Malin e Zi,
Të bashkuar, Kosova do t’i mbroj të arriturat e fituara me gjak,
Të bashkuar, Shqipëria do të përmbyll proceset që e presin.

Andaj, ne shqiptarët e bashkuar pa dallim partie, ua ofrojmë përkrahjen tonë, për fitoren tonë, në Maqedoninë e Veriut, për Kryeministrin shqiptar.
Sepse ne mund të fitojmë kur jemi të bashkuar.

Ju urojmë proces të qetë e demokratik elektoral,
Ju urojmë fitore të merituar për shqiptarët,
Ju urojmë Kryeministrin e parë shqiptar!

Organizata “Shqiptarët e Bashkuar”

Kryetar:
Rrok Dedvukaj

Michigan, 22 Qershor 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kur mungojnë edhe 8 javë nga fundi i kampionatit anglez,…