Organizimi i Samitit të Parisit, në pikëpyetje

21 qershor 2019 | 10:55

Liderët institucionalë në Kosovë kanë vënë në pikëpyetje mbajtjen e Samitit të Parisit i cili pritet të mbahet më 1 korrik dhe pritet të diskutohet për vazhdimin e procesit të dialogut Kosovë – Serbi.

Pas kryeparlamentarit Kadri Veseli, edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se samiti, i cili është iniciativë e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, mund të shtyhet nëse nuk përgatitet mirë.

“Sa i përket Samitit të Parisit, nëse përgatitjet shkojnë mirë, me siguri se do të mbahet, por nëse nuk janë kryer përgatitjet, atëherë mund të shtyhet. Kemi paralajmëruar edhe në të kaluarën se mund të ndodhë që të shtyhet”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për medie.

Ai ka deklaruar se Kosova është e përgatitur për këtë samit, duke shtuar se edhe vetë është marrë për koordinimin ndërmjet institucioneve për këtë çështje. “Në Kosovë gjendja është mirë në mes të institucioneve dhe mes atyre që punojnë. Pra, kemi koordinim të mjaftueshëm. Unë vetë kam bërë kujdes në koordinim me të gjithë. Kosova ka qëndrimin e vet për temat që do të diskutohen në këtë samit. Pra, kemi përgatitur qëndrimin tonë në këtë samit”, është shprehur Haradinaj.

Një ditë më parë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se nuk shkon në këtë samit nëse aty do të flitet vetëm për taksën, të cilën Qeveria e Kosovës ua ka vendosur produkteve serbe. Ai ka thënë se edhe subjektet politike opozitare duhet të bëhen pjesë e këtij samti. “S’ka samit të Parisit pa qenë bashkë. Berlinin dhe Parisin duhet t’i mbajmë afër. Unë nuk shkoj në Paris që të flas për taksën. Çka është për mua taksa para ulëses për OKB?! Kosova duhet ta kryejë këtë proces dhe ta mbajë ShBA-në afër. Sa për taksë, nuk shkoj. Për Kosovën shkoj kurdo”, ka thënë Veseli për mediet.

Dështimin e këtij samiti ditë më parë e kishte paralajmëruar edhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq. Kryediplomati serb kishte deklaruar se ky samit nuk do të mbahej nëse nuk ka shanse që të arrihet një përmirësim i gjendjes dhe nëse Kosova nuk e heq taksën. “Ne jemi për kompromis, por nëse pala tjetër nuk do, ne nuk do të veprojmë kundër interesave tona shtetërore e kombëtare”, kishte thënë Daçiqi.

Ndërsa njohësit e rrethanave politike në vend presin që Samiti i Parisit të jetë moment kthese në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Derisa nga Samiti i Francës besoi se do të jetë një pikë kthese nga dy shtetet për t’iu rikthyer tryezës së dialogut, përmes së cilës do të synohet potencialisht arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu.

Ndërsa analisti tjetër politik, Shkëlzen Maliqi, ka deklaruar se nëse mbahet ky samit, pritet të vendosen bazat për vazhdimin e këtij procesi. “Nuk besoj se Serbia sot është në gjendje të zotohet hapur për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo do të ishte tepër e rrezikshme për udhëheqësinë e saj aktuale. Por, ajo mund të obligohet që në afatin e caktuar, për shembull brenda gjashtë muajve, të organizohet referendumi për ndryshimin e Kushtetutës të Serbisë, të atyre pjesëve që Kosovën e trajtojnë si pjesë të patjetërsueshme të saj. Me këtë pesha e vendimit do të bartej te qytetarët e Serbisë, jo te presidenti Vuçiq”, ka thënë Maliqi për gazetën “Epoka e re”.

Në fillim të këtij muaji Kosovën e kishin vizituar këshilltarët diplomatikë të presidentit francez dhe kancelares gjermane, të cilët ishin pritur nga liderët institucionalë. Këta të fundit ishin zotuar para delegacionit francez-gjerman se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë pa kushtëzime dhe se tarifat për mallrat serbe duhet të mbeten në fuqi. Po ashtu, ata patën deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun që duhet të përfundojë me marrëveshjen paqësore gjithëpërfshirëse, e cila do ta sjellë njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Jakup Krasniqi Ka kohë që në jetën politike, publike…