Osaka tërhiqet përkohësisht nga tenisi, kjo është arsyeja

05 shtator 2021 | 16:54

Naomi Osaka vendos të shkëputet për pak kohë nga tenisi dhe menjëherë pas eliminimit të papritur në “Flushing Meadows” tenistja e mirënjohur japoneze deklaroi se do të heqë dorë për një periudhë të caktuar, me qëllimin për t’u qetësuar dhe fituar motivimin e nevojshëm për t’u matur sërish me më të mirat e botës. Tenistja nga Osaka që pas një muaji e gjysmë do të festojë 24 vjetorin e saj u paraqit në US Open si një ndër favoritet kryesore për të triumfuar në Slam-in përmbyllës të sezonit, por sportistja që aktualisht mban numrin tre në klasifikimin e përgjithshëm WTA u mund që në raundin e tretë, nga adoleshentja kanadeze Leylah Annie Fernandez.

Tenistja nga “vendi i lindjes së diellit” zbriti në fushën qendrore, që mban emrin e të madhit Arthur Ashe, praktikisht në stadiumin më të madh në planet të këtij sporti, me petkun e kampiones në fuqi, pasi 12 muaj më parë sportistja nipone përmbysi disavantazhin e setit hapës, për të mposhtur në finale bjellorusen Victoria Azarenka. Këtë herë në Slam-in Njujorkez Naomi Osaka u eliminua që në fazën e 1/16 nga 18-vjeçarja nga Quebec-u, që pozicionohet në vendin e 73 në renditjen botërore. Ishte përballja e parë ndërmjet këtyre dy tenisteve, megjithatë në mënyrë të habitshme kampionia në fuqi u mund, ndonëse fitoi setin hapës, duke e thyer në servis adoleshenten kanadeze pikërisht atëherë kur dy sportistet po bëheshin gati për të shkuar në tie break.

Dy herë kampionia në US Open madje ishte në avantazhin e një game me break edhe në setin e dytë, teksa I rrëmbeu shërbimet tenistes me origjinë nga Ekuadori nga babai dhe nga Ishujt Filipine nga nëna, në game-n e njëmbëdhjetë. Osaka dështoi për të mbyllur ndeshjen, duke gabuar në forehand, pikërisht në momentin kur po shërbente për të fituar sfidën në vetëm dy sete dhe për rrjedhojë tenistja japoneze humbi setin e dytë 7-2 në tie break. Ndërkohë në setin final Leylah Fernandez ia doli mbanë për ta thyer në shërbim që në game-n hapës numrin 3 të botës, për të fituar krejt takimin me rezultatin 5-7, 7-6, 6-4 në diçka më shumë se dy orë lojë.

Kurioz është fakti që tenistja që dikur mbante numrin 1 të botës nuk pati asnjë mundësi për break në setin përcaktues dhe si për të konfirmuar formën jo të mirë që ka kaluar gjatë këtyre muajve të fundit vlen të theksohet gjithashtu fakti që edhe në Cincinnati vetëm 10 ditë para se të startonte Slam-i Njujorkez në Flushing Meadoës – Corona Park në Queens Naomi Osaka u eliminua që në takimin e saj të dytë, më saktë në fazën e 1/8 nga numri 44 në rruzull, 24-vjeçarja zvicerane Jil Belen Teichmann, që për hir të së vërtetës shkoi deri në finale në aktivitetin e përvitshëm që zhvillohet në Ohio.

Pas disfatës në US Open Osaka deklaroi se nuk e ka aspak idenë se kur do të rikthehet, për të luajtur ndeshjen tjetër në këtë sport, por 23 vjeçarja konfirmoi se do t’i nevojitet kohë për të qenë gati dhe për t’u paraqitur në nivelin e duhur. Tenistja nipone u tërhoq gjithashtu edhe nga Slam-i Parizien në Roland Garros, pasi rrëfeu më herët se po vuante probleme në aspektin psikologjik, që nga shtatori i vitit 2018, kur mposhti në finale në “Flushing Meadows” veteranen amerikane Serena Williams, për të fituar titullin e parë të madh në karrierë. Pas Slam-it Francez Naomi Osaka nuk mori pjesë as në Wimbledon, ndërsa në Lojërat e 32 Olimpike tenistja nipone u kthye për të mbajtur flamurin e vendit të saj, në ceremoninë hapëse të Olimpiadës së Tokios.

Në konferencën për shtyp Osaka tha se tani I nevojitet kohë, për të kuptuar se cfarë dëshiron të bëjë në të vërtetë. Tenistja japoneze shtoi se po përjetonte një situatë të pazakontë, me gjendje ankthi jo normale, sepse së fundmi nuk ndihej e kënaqur kur fitonte. Thjesht ndihej më e çliruar në raste të tilla, ndërsa kur humbte një ndeshje Osaka rrëfeu se ndihej tepër e trishtuar. Osaka është tenistja që ka fituar më shumë tituj të mëdhenj gjatë viteve të fundit. 7 muaj më parë 23-vjeçarja aziatike triumfoi në “Melbourne Park” për herë të dytë në karrierë, teksa mposhti në finale në vetëm dy sete 26-vjeçaren nga Shtetet e Bashkuara Jennifer Brady, që aktualisht pozicionohet në vendin e 14 në renditjen botërore.

Trofeu në Australian Open në muajin shkurt është i vetmi për Osaka-n gjatë këtij sezoni, ndërkaq sportistja nipone ka fituar 4 nga 10 turnetë e fundit Slam ku ka marrë pjesë. Pas problemeve të mëdha fizike që po përjeton Serena Williams, e cila do të mbushë 40 vjeç pas disa javëve tenisi i femrave është tepër i ekuilibruar dhe duke lënë mënjanë Naomi Osaka-n nga mesi i vitit 2018 e këtej e vetmja teniste tjetër që krenohet me më shumë se një trofe Slam është australiania Ashleigh Barty, pra numri 1 në klasifikimin e përgjithshëm WTA, që ka triumfuar në vitet 2019 e 2021 respektivisht në Roland Garros dhe Wimbledon. /SS/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja shqiptare, Rita Ora do të realizojë një koncert nga…