
Osmani: Bota po e kupton se vendi ynë është partner serioz
Vjosa Osmani ka prezantuar në një konferencë për media të arriturat përgjatë një viti si presidente e Republikës së Kosovës.
Osmani ka thënë se ka kryer me nder dhe dinjitet detyrat dhe funksionet e saj kushtetuese.
Ajo ka thënë se me të Kosova çdo ditë e më shumë po shndërrohet në vend nikoqir të vizitave të nivelit të lartë.
“Sepse tashmë rajoni dhe bota po e kupton se vendi ynë është një partner serioz, i gatshëm për t’u ballafaquar me sfidat dhe i pjekur për të kontribuar në projekte rajonale e ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.
Më tutje, Osmani ka folur për imazhin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të vendit, duke thënë se ka punuar maksimalisht në këtë çështje.
“Jam përpjekur maksimalisht që krahas me përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të vendit, të punoj më tej për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar”, është shprehur Osmani, duke shtuar se politika e jashtme e Kosovës “mbetet reflektim edhe i asaj se sa jemi shtet i fuqishëm përbrenda”.