Osmani dekoron post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave Arben Xheladinin dhe Mon Balajn

10 shkurt 2022 | 20:02

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, kanë pritur në takim familjet e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt.

Presidentja Osmani duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore, pas propozimit të deputetëve të Republikës së Kosovës dhe rekomandimit të Komisionit për dhënien e dekoratave, sot ka akorduar Medaljen Presidenciale të Meritave, me motivacion për guxim dhe aktivizëm qytetar për kontributin e dhënë nga Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

“Natyrisht që ne në këtë datë, përtej asaj që e tregojmë si respekt, duhet ta përsërisim edhe thirrjen tonë për drejtësi, sepse ata u vranë padrejtësisht dhe përkundër hetimit e përkundër vlerësimit edhe të organizatave ndërkombëtare që kjo ka qenë një shkelje e të drejtave të njeriut, dhuna e përdorur që rezultoi me vrasjen e tyre ka qenë shkelje e të drejtave të njeriut. Për fat të keq, akoma, askush, nuk ka dalë para drejtësisë për vrasjen e tyre”, ka theksuar presidentja Osmani.

Presidentja Osmani, më tej tha se si institucione të Republikës së Kosovës përderisa tregojmë respekt për ta, për familjet e tyre, për gjithsecilin prej jush, “që përkundër humbjes së madhe të më të dashurve tuaj, keni treguar vendosmëri e kontribut të vazhdueshëm për Kosovën shtet të pavarur e sovran”.

E para e vendit më tej ka thënë se beson që është me rëndësi që të vazhdojmë me thirrjet tona që komuniteti ndërkombëtar të jap kontributin e vet, që të ketë drejtësi për Monin dhe për Arbenin.

Komisioni për dhënien e dekoratave ka marrë vendim për ndarjen edhe të disa dekoratave të tjera, të cilat do të jepen ditëve në vazhdim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Istogu ka mundur Vëllaznimin me rezultat 75:74 (20:15, 25:18, 20:22,…