Osmani e konsideron ndëshkues e diskriminues propozimin për shtrenjtim të rrymës, jep opsione të tjera

01 shkurt 2022 | 14:38

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka listuar një sërë rekomandime për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), në komentet që ia ka dërguar këtij organi, i cili më 17 janar ka publikuar një raport konsultativ me propozimin për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Osmani ka konsideruar se struktura tarifore e propozuar nga ZRrE-ja është ndëshkuese dhe diskriminuese ndaj vetëm një grupi të shoqërisë, përderisa përgjegjësia për rritjen e konsumit është e të gjithëve.

Sipas presidentes, me propozimin e ZRrE-së, 39 për qind e konsumatorëve shtëpiak do ta bartin barrën e shtrenjtimit të gjithëmbarshëm të energjisë elektrike në vend.

Në raportin ku ZRrE-ja ka dizajnuar tarifat e reja të energjisë elektrike është thënë se është marrë për bazë edhe respektimi i objektivitetit të reflektimit të kostos për shërbimin që e marrin konsumatorët.

Sipas presidentes Osmani, ky kriter që kërkon shmangien e diskriminimit ndërmjet grupeve të ndryshme të konsumatorëve nuk është përmbushur në raportin e ZRrE-së.

Objektivi i përshkruar për ZRrE-në është që tarifat e paguara nga konsumatorët duhet, për aq sa është praktikisht e mundur, të pasqyrojnë kostot që ata ia ngarkojnë sistemit. Në këtë çështje, presidentja ka vërejtje.

“Struktura e propozuar tarifore nga ZRrE, e cila e vë pragun e konsumit në 600kWh/muaj (përtej këtij niveli të konsumit aplikohet rritja e çmimit të energjisë elektrike), rrezikon të jetë në kundërshtim të drejtpërdrejt me këtë objektiv. Me strukturën tarifore të propozuar, 39% e konsumatorëve shtëpiak do ta bartin barrën e shtrenjtimit të gjithëmbarshëm të energjisë elektrike në vend. Edhe përkundër faktit që propozohet që përqindje të caktuara të rritjes së çmimit të energjisë për secilën kategoritë të mbulohen nga subvencioni i qeverisë (duke përfshirë edhe grupin e konsumatorëve mbi 600kWh), struktura aktuale tarifore shihet si ndëshkuese dhe diskriminuese ndaj vetëm një grupi të shoqërisë, përderisa përgjegjësia për rritjen e konsumit është e përbashkët”, është thënë në komentet e dërguara nga presidentja Osmani.

Zyra e Presidentes ka konsideruar se rikthimi në tri bllok-tarifa, siç ishte para vitit 2017, do të ishte një trajtim më korrekt ndaj konsumatorëve dhe se kjo do ta shpërndante në mënyrë më të barabartë rritjen e çmimit të rrymës.

“Rrjedhimisht, ZPRK-ja propozon që në strukturën tarifore aktualisht të propozuar nga ZRrE-ja, mos të ketë vetëm një kufi të ndarjes në mes të konsumatorëve, por te shtohen dhe dy blloqe të reja. Një strukturë e tillë tarifore do të ndihmonte që të bëhej dallimi në mes të konsumatorëve që me konsumin e energjisë elektrike mbulojnë nevojat më bazike, konsumatorëve të cilët paraqesin një ekonomi familjare me shpenzime mesatare, dhe konsumatorëve të cilët me raste të caktuara e shfrytëzojnë energjinë elektrike për nevoja të luksit”, është thënë në propozimin e presidentes.

Vjosa Osmani ka kërkuar që edhe bizneset të përfshihen në skemën e re tarifore, të cilat sipas propozimit paraprak nga ZRrE-ja nuk prekeshin nga shtrenjtimi i rrymës. Kjo, sipas presidentes, do ta lehtësonte barrën për konsumatorët shtëpiakë.

“Me propozim të strukturës tarifore me tri blloqe, përkundër rritjes së çmimit të energjisë, rritja do të ishte dukshëm më e përballueshme për të gjithë, dhe në mënyrë të tillë, edhe shuma e subvencionit të ofruar nga Qeveria do të mund të përdorej për mbulimin e barrës së më shumë kategorive të konsumatorëve në mënyrë më të njëtrajtshme. Në të kundërtën, në rast të hezitimit të rikthimit në 3 blloqe tarifore, duhet të shqyrtohet mundësia e rritjes së pragut prej 600kWh/muaj”, është thënë në këtë propozim.

Gjithashtu, ZRrE-së i kërkohet edhe që para aprovimit të skemës së re tarifore, të kërkojë përgatitjen e një plani energjetik të shkëmbimit të energjisë elektrike me Shqipërinë, duke u bazuar në frymën e bashkimit të tregjeve elektrike.

ZRrE-ja po ashtu duhet ta bëjë një rishikimin të parashikimeve për konsum të energjisë elektrike në vend, e me ç‘rast, sipas presidentes, do të duhej të rishikohej edhe struktura e re tarifore që e ka propozuar.

“ZRRE-ja ftohet që me seriozitet të trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend”, është thënë në rekomandimin e presidentes Osmani.

Në fund, shefja e shtetit ka thënë se komentet dhe propozimet e dorëzuara në organin që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, kanë nevojë për kohë shtesë dhe trajtim të duhur. Kësisoj, Vjosa Osmani i ka kërkuar ZRrE-së që ta shtyjë afatin e zbatimit të strukturës së re tarifore, i cili fillimisht ishte propozuar për datën 1 shkurt (sot).

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Violinisti i njohur në filharmoninë e Vjenës, Shkëlzen Doli, ka…