Osmani: FSK, krenaria jonë, mburoja e atdheut, fuqia që garanton lirinë
“E fortë. Profesionale. Aleate e besueshme. E pathyeshme. Forca e Sigurisë së Kosovës, krenaria jonë, mburoja e atdheut, fuqia që garanton lirinë”.
Kështu shprehet presidentja Vjosa Osmani, në një video të publikuar ku tregon të arriturat e FSK-së.
Në këtë video, e para e shtetit përmend edhe kontributet që aleatët e Kosovës kanë dhënë në ndërtimin e kësaj force.
“FSK ka treguar se është krenaria e shtetit, e gatshme kurdoherë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. FSK po marshon fuqishëm përpara në procesin e zhvillimit dhe avancimit si forcë moderne e mirëpajisur dhe e mirëtrajnuar”, tha Osmani.
“Sa më shumë gra në institucione të sigurisë, aq më shumë siguri për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, u shpreh ajo.
Ndër të tjera, presidentja ka folur edhe kontributin e ShBA-së dhe shteteve tjera aleate për çlirimin dhe lirinë e Kosovës.
“Dhe në orët më të errëta, Amerika qëndroi me ne. Ishin ushtarët amerikanë, përkrah aleatëve tanë të NATO-s, që erdhën në Kosovë dhe e shndërruan dëshpërimin në shpresë, frikën në siguri dhe pushtimin në liri”.
Ajo tha se pavarësisht se sa kompleks është rrugëtimi, “ne nuk do të heqim asnjëherë dorë nga rruga jonë drejt BE-së dhe NATO-s dhe organizatave tjera ndërkombëtare. NATO është fati ynë”.



