Osmani i njofton senatorët amerikanë për ngjarjet e 24 shtatorit në veri

13 tetor 2023 | 11:24

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch.

Presidentja Osmani tha pas takimit se me senatorët amerikanë bisedoi për ngjarjet e 24 shtatorit kryesisht, duke e akuzuar Serbinë se po “synon ta destabilizojë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor duke vepruar si satelit i Rusisë”.

“Çdo vizitë e zyrtarëve nga ShBA është një dritare e re për avancimin, konkretizimin të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Senatorë dua të ju falënderoj për mbështetjen dhe angazhimin për të ndihmuar vendin tonë, rajonin tonë, dhe për të krijuar stabilitet. Natyrshëm që biseda jonë u përqendrua për zhvillimet e fundit në vend, në veçanti në aktin terrorist kundër Kosovës të organizuar dhe sponsorizuar nga Serbia dhe të kryer nga grupe terroriste”, është shprehur ajo, duke theksuar se senatorët amerikanë i ka informuar për rrjedhën e ngjarjes, për dëshmitë e siguruara nga institucionet e Kosovës dhe hapat që vendi ynë në koordinim me partnerët e saj po ndërmerr për të tejkaluara sfidat e sigurisë.

“Synimet e këqija të Serbisë nuk mjaftohen vetëm me Kosovën, por janë paralajmërim i qartë se Serbia duke shërbyer si satelit i Rusisë, ka për qëllim të destabilizojë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar presidentja.

Osmani ka theksuar se gjëja më e rëndësishme tani për ta “parandaluar Serbinë nga kryerja e akteve të tilla të agresionit në të ardhmen, është që Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit dhe t’i dorëzojë terroristët në Republikën e Kosovës që ata të përballen me sistemin tonë të drejtësisë”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Senatorja e Shteteve të Bashkuara, Jeanne Shaheen, tha sot se…