Osmani: Ka tendenca që masat e BE-së të përdoren si kushtëzim edhe për marrëveshjen me Serbinë

22 dhjetor 2023 | 12:06

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se ka tendenca që masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) kundër Kosovës që vazhdojnë të jenë në fuqi të keqpërdoren për kushtëzim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo ka thënë se nëse ndodh diçka e tillë do të ketë vetëm efekt negativ, derisa shtuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat e vendosura nga BE-ja për heqjen e këtyre masave që u vendosën si ndëshkim për tensionet në veri.

“Ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja pse ato janë vendosur në fillim. E kam kundërshtuar një qasje të tillë edhe në Samitin BE-Ballkan Perëndimor, sepse në fakt kjo logjikë sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje të dialogut do të ketë vetëm efekt negativ. Ajo që kanë kërkuar nga Kosova, pra që e quanin deeskalim, tashmë ka ndodhur. Nëse dikush mendon që të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes vetëm sa do të ketë efekt negativ. Masat do të duhet hiqen sepse Kosova i ka plotësuar kushtet e kërkuara”, ka thënë ajo në një konferencë të përbashkët me homologun bullgar.

E pyetur nëse masat do të hiqen me zgjedhjen e kryetarëve të rinj në veri, Osmani ka thënë se ato masa është dashur të hiqen moti dhe në fakt të mos vendoseshin kurrë”.

“Kosova ka vepruar brenda territorit të saj, s’e ka pushtuar askënd, ska përdorur dhunë dhe se ka rrezikuar askënd që të meritonte masa të tilla të padrejta dhe joprofesionale”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Politikania serbe, Rada Trajkoviq, ka reaguar të premten ndaj qëndrimit…