Osmani kërkon mbështetjen e Japonisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

06 korrik 14:03

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani.

Presidentja e ka falënderuar ambasadorin Mizutani për mbështetjen e deritashme japoneze ndaj Kosovës, përfshirë rritjen e numrit të bursave për studentët kosovarë nga qeveria japoneze, si rezultat i diskutimeve gjatë vizitës së presidentes në Tokio vitin e kaluar.

“Kosova dhe Japonia ndajnë vlerat dhe parimet e njëjta në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe çështjet botërore, prandaj presim bashkëpunim edhe më të gjerë edhe ne sfera të tjera”, ka thënë Osmani.

Ndërsa ambasadori Mizutani ka vlerësuar qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës karshi luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë me sanksione kundër Rusisë, si dhe qëndrimin stoik me popullin ukrainas, duke thënë se demokracitë duhet të qëndrojnë  të bashkuara.

Në vazhdën e mbështetjes japoneze, organizata japoneze JICA, i ka dhuruar komunave të Kosovës një donacion me kamionë të mbeturinave, teksa Japonia nëpërmjet kësaj organizate vazhdon të implementojë dhjetëra projekte në fushën e arsimit dhe mjedisit.

Presidentja Osmani ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes nga Japonia për  procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-basketbollisti Lamar Odom, ish-shok skuadre me Kobe Bryant te Lakersat,…