Osmani: Kosova e gatshme për zgjedhje të reja në veri, por duhet garanci nga ndërkombëtarët

14 shtator 2023 | 13:44

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Politico”, ka thënë se ajo e ka bërë të qartë qysh më 1 qershor se Kosova është e gatshme të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri. Por, Osmani ka thënë se duhen ndërkombëtarët të përkujdesen që të mos lejojnë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të ndërhyjë sërish në zgjedhjet e një vendi tjetër.

“Jemi të gatshëm të mbajmë këto zgjedhje, problemi është se komuniteti serb që jeton në veri të Kosovës, që është vetëm një e treta e të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë, po frikësohet nga njerëzit që paguhen, përkrahen dhe nxiten nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nga Serbia. Atyre u bëhet presion të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ne ende nuk po shohim lëvizje ku Vuçiqi do të ndalojë së ndërhyri në zgjedhjet e një shteti tjetër”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka thënë se bojkoti i zgjedhjeve në veri nuk ishte vullnetar, por u bë shkaku i presionit që po i bëhej popullatës lokale në veri. Ajo ka thënë se ka pasur raste që serbët që kanë dashur të votojnë janë rrahur apo kidnapuar nga njerëz të shërbimit sekret të Serbisë që drejtohet nga Aleksandër Vulin, një njeri që gjendet në listën e zezë të ShBA-së.

Osmani ka thënë se duhet përkujdesur që çdo gjë të bëhet në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë e me aleatët, që të evitohen tensionet.

“Tensionet nuk i ndihmojnë askujt, i bëjnë njerëzit të ndihen të pasigurt, largon investuesit potencialë nga vendi ynë, ndonëse Kosova është shtet shumë i sigurt. Dhe po ashtu tensionet u marrin aq shumë energji institucioneve, në vend se të merremi me reformim të sistemit të arsimit, shëndetësisë, e të krijojmë vende pune. Historia e Kosovës është histori e aksioneve të përbashkëta. Kemi qenë gjithmonë të suksesshëm kur kemi punuar së bashku me partnerë, e aleatë”, ka theksuar Osmani.

Osmani ka thënë se BE-ja duhet të përshpejtojë punët. Ajo ka shtuar se për Kosovën anëtarësimi në BE është prioritet institucional e vullnet i popullit.

“Mbi 93 për qind të popullatës sonë janë pro rrugës së integrimit në BE. Por, nuk është vetëm kjo, ne besojmë se është rruga e vetme që sjellë prosperitet, zhvillim ekonomik, dhe paqe të qëndrueshme e stabilitet. Dhe për një rajon që ka kaluar aq shumë në të kaluarën, sigurimi i paqes, që më pas hap rrugët e prosperitetit, është esencial”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shtuar se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE do të krijonte më tepër stabilitet dhe paqe.

Presidentja e Kosovës ka thënë se është e vështirë të mos ketë ndjenjë të padurimit me proceset e gjata eurointegruese. Ajo ka përmendur edhe rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Është e vështirë të mos bëhesh i padurueshëm, veçanërisht kur të kërkohet të kompletosh detyra shumë konkrete dhe e bën çdo gjë që të kërkohet dhe nuk ndodh asgjë. Vetëm merrni procesin e liberalizimit të vizave, që të flasim teknikisht është ndryshe nga rruga e integrimit, por është pjesë e asaj ndjesie që je pjesë e familjes evropiane. Ne kemi kompletuar gjitha kriteret, në fakt dyfish më tepër kritere krahasuar me çdo shtet tjetër në rajon dhe atë pesë vjet para se të marrim vendimin për liberalizmin. Kështu që për pesë vjet vetëm kemi pritur aty dhe asnjë nuk ka qenë në gjendje të na japë arsye pse procesi është vonuar. Mund të imagjinoni se për diçka aq bazike, siç është liria e lëvizjes, edhe pas kompletimit të gati 100 kritereve, ata nuk na dhanë vendimin deri së fundi”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se nuk e sheh problem dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën e Moldavinë. Osmani ka theksuar se nuk mendon që anëtarësimi i një shteti në BE do ta bllokojë një shtet tjetër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tunizia ia ka ndaluar hyrjen një delegacioni të Parlamentit Evropian,…