Osmani: Në ditën e Evropës, Serbia tregon fytyrën e vërtetë antievropiane

09 maj 2018 | 14:27

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj tërheqjes së ftesës nga Serbia për pjesëmarrjen e një delegacioni nga Kosova në konferencën e organizuar nga kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Serbisë, Nenad Canak.

“Sot, edhe zyrtarisht jam njoftuar përmes një shkrese me gjuhë aspak diplomatike dhe zyrtare, për vendimin e Kuvendit të Serbisë, për të tërhequr ftesën për pjesëmarrje në Konferencën e organizuar nga kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Serbisë, z. Nenad Canak. Shteti i Serbisë, përmes këtij vendimi, tregoi se sa shumë ndikohet nga shovinistët dhe kriminelët e luftës si Vojislav Sheshelj. Ishin pikërisht provokimet e këtij të fundit, të cilat sollën destabilizim të raporteve edhe me shtetin e Kroacisë javët e fundit”, ka thënë Osmani.

Në këtë kontekst, ajo ka thënë se në Ditën e Evropës, Serbia ka treguar fytyrën e saj antievropiane

“Edhe pse ka hapur shumicën e kapitujve për anëtarësim në BE, Serbia tregon se mbetet një shtet me vlera antievropiane dhe se gjithë të arriturat e saj drejt rrugës integruese i ka fituar përmes temave të Kosovës, dhe jo për shkak të meritave dhe përmbushjes së standardeve. Veprime të tilla të Serbisë nuk i kontribuojnë paqes e as normalizimit të raporteve, e aq më pak rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, në krejt këtë situatë, është për t’u përshëndetur vullneti i mirë i kryetarit të komisionit z. Canak. Për të qenë të denjë për ta kremtuar 9 majin, Ditën e Evropës, politikanët në Serbi duhet ta ndjekin shembullin e tij”, ka deklaruar Osmani.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB), Izmi Zeka, ka përkujtuar…