Osmani: Këngët e Nexhmije Pagarushës do të mbeten vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë

07 shkurt 2020 | 13:06

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar këtë telegram ngushëllimi familjes Pagarusha, miqve të saj dhe gjithë popullit të Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

“Sot, me dhimbje të madhe, mësova se është ndarë nga jeta ikona e muzikës shqipe, znj. Nexhmije Pagarusha. Për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj.  Nga ‘Baresha’ te ‘Zambaku i Prizrenit’, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë.   Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e ‘Bilbilit të Kosovës’. Pavarësisht që prej vitesh ajo nuk ishte pjesë e skenës, ikja fizike e saj nga kjo botë, lë boshllëk të madh në muzikën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Shëmbëlltyra e Nexhmije Pagarushës do të kujtohet përjetësisht me respekt të veçantë, ndërsa zëri unik e i papërsëritshëm dhe këngët që ajo i këndoi, do të jenë gjithherë të pranishme në kujtesën e brezave. Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani. ​

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Galatasaray nuk është dorëzuar për transferimin e yllit të Liverpoolit,…