Osmani niset për Mitrovicë: Po rikthehem në vendlindje, në qytetin e rock muzikës dhe minatorëve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke vazhduar vizitat nëpër komunat e Kosovës. Ajo ka bërë me dije se sot do ta vizitojë vendlindjen e saj, Mitrovicën.
Përmes një video-mesazhi të postuar në llogarinë e vet në “Facebook”, Osmani ka thënë se po shkon në qytetin e rock muzikës dhe qytetin e minatorëve.
“Sapo i përfunduam aktivitetet në Prishtinë në shënimin e 14 prillit që i kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Një ditë e rëndësishme për mijëra gra e burra që e kanë përjetuar ferrin gjatë luftës por e kanë shndërruar fuqinë e tyre dhimbjen e tyre në një zë të fuqishëm për vendin tonë. Po rikthehem në qytetin tim të lindjes, në qytetin e minatorëve, në qytetin e rock muzikës, në mënyrë që të dëgjojmë për së afërmi kërkesat e komunës por mbi të gjitha të qytetarëve të Mitrovicës”, ka thënë ajo.
Osmani ka njoftuar se së bashku me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, do të përkujtojnë masakrën në lagjen e “Kovaçëve” të kryera nga forcat serbe gjatë luftës.