Osmani shpreson në formalizimin e njohjes së Kosovës nga Greqia

08 qershor 2022 | 17:26

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për  anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për rajonin.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka përmendur rrezikun nga tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, nëpërmjet Serbisë si satelit i saj.

Një pjesë e takimit i është kushtuar zhvillimeve të krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Me këtë rast, presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe ShBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë.

Në takim me ministrin Dendias, presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me shpresën që së shpejti do të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Greqia.

Ndër të tjera, në takim me ministrin Dendias, presidentja Osmani ka potencuar edhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në  politikën e jashtme, turizëm, kulturë si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

Kryediplomati grek të mërkurën është takuar edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bsilimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova nesër në mbrëmje përballet me Irlandën e Veriut në…