Pa luftën e UÇK-së nuk do të kishte Kosovë të pavarur

19 dhjetor 2022 | 09:09

Prof. asoc. dr. Ardit Bido

Këtë konferencë po e përmbyll duke i falënderuar të gjithë ata të cilët sot janë studiues, por dje kanë qenë në ballë të betejave për të cilat ne flasim, dhe sot vijojnë me një veshje të re, tashmë me një xhaketë të re, që të na gëzojnë edhe për mënyrën sesi ne duhet të trajtojmë të shkuarën, jo vetëm për efekt të së shkuarës. Të shkuarën nuk e trajtojmë për thashetheme, për të diskutuar, për shkencë të thatë. E trajtojmë si një standard moral për ta parë të ardhmen, dhe besoj se kjo konferencë ia arriti këtij qëllimi.

Dua ta nis duke i falënderuar në radhë të parë bashkorganizatorët: Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës që, në fakt, janë organizatorët realë, sepse gjithmonë ndodh që kur ka bashkë­punime në qytete të ndryshme, ai që është mikpritësi, ai ka edhe barrën e organizimit.

Siç tha miku im Bedriu, nisma për këtë konferencë ishte e ndërlidhur, ishte e konceptuar me një deklaratë të cilën institucionet akademike dhe kulturore e bënë në një moment shumë të rëndësishëm të historisë sonë bashkëkohore, që ishte ngritja e akuzës ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirim­tare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara të gjykatave të Kosovës që ndodhen në Hagë.

Dhe këtu dua të veçoj rolin e Bedriut, i cili ishte jo thjesht nismëtar, po edhe nxitës i fuqishëm në këtë drejtim. Na mori para dhe me të drejtë arriti ta nënshkruajë deklaratën e nëntorit 2020 si dhe ta bëjë organizimin e kësaj konference, së bashku me drejtues të tjerë të rëndësishëm institu­cionalë, ku dua të veçoj idenë e Skënder Gjinushit, kryetar i Akademisë së Shken­cave, për ta kthyer në një tribunë akademike këtë nismë që ka një qëllim të qartë për të parë të ardhmen duke analizuar të shkuarën. Prandaj, do t’i falënderoj Institutin e Albanologjik të Prishtinës, Akademinë e Shkencave, Muzetë e dy vendeve, mikun Dorian Koçi që ndodhet këtu, veçanërisht Bedriun për nismën.

Gjatë kësaj konference, pas referatit interesant dhe përmbledhës që në krye të herës të Bedri Zyberajt, i cili na tregoi tri etapat e zhvillimit të UÇK-së, patëm fatin të dëgjonim, ne dëshmitarët okularë, pos dëshminë e tij, edhe një analizë të prof. dr. Paskal Milos mbi mënyrën se si rrodhën ngjarjet në momentin krucial pak përpara dhe gjatë Konferencës së Ram­bujesë, pa të cilën pastaj historia nuk do të rridhte.

Akademik Pëllumb Xhufin në kumtesën e tij na dha variablën e rëndë­sishme të parisë së UÇK-së, si një aleate partnere e NATO-s, të bashkë­luftimit të NATO-s e të UÇK-së në një luftë të përbashkët, njëra nga toka, tjetra nga ajri, kuptohet njëri më i fuqishëm e tjetri më pak i fuqishëm por, ama, pa këtë që ishte më pak i fuqishëm, nuk do të ndërhynte ai që ishte i fuqishëm.

Dëgjuam nga dr. Dorian Koçi arkitekturën e mundimshme të lirisë, rolin udhëheqës që kishte UÇK-ja në atë që ne sot jetojmë, si një kompromis që është Kosova e pavarur, të cilën u theksua edhe këtu që nuk ishte ky qëllimi i UÇK-së, por është kompromis i madh i shqiptarëve, ekzistenca sot e Kosovës si një shtet i pavarur me elemente të karakterit shumetnik.

Dëgjuam prof. dr. Emin Kabashin mbi përmasën kombëtare të luftës së UÇK-së, mbi madhështinë e UÇK-së, veçanërisht fjalët e tij të fundit mbi vlerën e flamurit kombëtar, që edhe unë e kam një peng në fakt, që në Kosovë e shoh gjithnjë më pak e, fatmirësisht dhe lavdi Zotit, ndodhet atje ku është derdhur gjaku për atë flamur dhe e gjejmë në varrezat e dëshmo­rëve. Dhe le ta mbajmë këtë iluzion. Iluzioni bën keq në çastin që nuk mendojmë racionalisht, përndryshe s’është iluzion, është objektivë afatgjatë kur krijohen kushtet.

Nga prof. asoc. dr. Nuri Bexheti dëgjuam një fjalim, për mua brilant, duke dhënë peshë, sepse kjo ushtri i shoi shpresat për autonomi dhe evitoi përplasjen vëllavrasëse, të cilat sot nuk i kuptojmë ndoshta ne të rinjtë, por që ishin evidente. Do të qëndroja veçanërisht te një fjali që çdo ditë, që pas ’95-s, është një ditë e humbur, dhe çdo ditë para 2001-shit do të ishte një ditë e humbur, që na tregon dritaren e vetme, elementin e fatit se Kosova sot nuk është një Krahinë Autonome pavarësisht se do të mund të ishte nën autonomi totale brenda Serbisë.

Dëgjuam prof. asoc. dr. Zaho Golemin në lidhje me drejtimin strategjik të luftës së madhe të një populli të vogël, pra në lidhje me aspektin ushta­rak të kësaj lufte dhe përvojën e vet personale në këtë drejtim.

Prof. dr. Lulëzim Lajçi mbajti kumtesën “Çështja e Kosovës dhe roli i diplomacisë ndërkombëtare në procesin e çlirimit të saj”, me një qasje gjithëpërfshirëse, duke nisur prej fillesave të shekullit XX e duke ardhur pastaj deri në zhvillimet bashkëkohore të epopesë së UÇK-së.

Dr. Albert Hitoalijaj na ftoi të gjithëve të kërkojmë më shumë në arkivat amerikane, duke na rrëfyer vlerat e rëndësishme të një syri më të paan­shëm sesa ne jemi në këtë betejë të kombit tonë.

Në seancën e dytë dëgjova prof. asoc. dr. Teki Kurtin, i cili kishte vendo­sur theksin në një prej betejave më të rëndësishme, që tregon luftën ballore që bëri UÇK-ja në betejën e Koshares, e paraqitur kjo në këndvështrimin e shtypit shqiptar të kohës.

Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj, edhe një dëshmitar okular dhe trajnues i ditës i UÇK-së, na foli jo thjesht për përvojën e vet, por mbi baza shken­core për bazat e grumbullimit, organizimit dhe stërvitjes së UÇK-së në Shqipëri.

Prof. dr. Arben Hoxha na dha një qasje filozofike në lidhje me vlerat dhe nocionin e lirisë, duke e parë UÇK-në si një masë të aftësive reflektive për bërje.

Prof. dr. Minir Ademi na foli për dëshmorët e UÇK-së nga Maqedonia, sepse UÇK-ja nuk është e Kosovës. UÇK-ja është e shqiptarëve dhe duhet t’i nxjerrë në pah të gjitha momentet kur kombi ynë u bashkua për ta çliruar Kosovën nga zgjedha serbe.

Prof. dr. Sali Bytyqi, duke e shtuar ndërdisiplinaritetin e kësaj konference, na dha një qasje të plotë mbi dy mënyrat e trajtimit të luftës së UÇK-së në letërsi jo për ta parë të shkuar, por për të parë të shkuar me qëllim në të ardhmen, që revizionizmin historik, që kategori të ndryshme tentojnë ta bëjnë, të mos kthehet në atë që studentët tanë sot s’e dinë çfarë ka ndodhur.

Doktoresha Albulena Halili na foli për luftën e UÇK-së dhe NATO-s si një ndërmarrje e përbashkët çlirimtare përkundrejt asaj sot që padrej­tësisht akuzohet.

Mr. Ruzhdi Panxha foli mbi një prej momenteve që prodhoi padrejtësi, që në hartimin e Ligjit për Arkivat, përtej gjithë arsyes se ai ligj është hartuar, që e konsideron sovranitetin e një shteti si të paplotë e që nuk mund të ketë as qasje mbi arkivat e institucioneve. Pra, mbi privimin e Arkivit të Koso­vës, nga e drejta për pranimin dhe administrimin e dokumentacionit të Dhomave të Specializuara.

Prof. dr. Adem Zejnullahu na foli për një qasje tjetër ndërdisiplinore, për UÇK-në në këngët popullore.

Prof. asoc. dr. Skënder Zhitija na foli për elementin e organizimit të brendshëm të UÇK-së.

Kandidati (phd) Miftar Kurti na foli në lidhje me këmbimin e robërve të luftës mes UÇK-së dhe Ushtrisë së Jugosllavisë, sipas shtypit të kohës, dhe na rrëfej se agresori dhe më së shumti agresori dhe viktimat, ndahen shumë saktë për mënyrën sesi i trajtojnë robërit e luftës të njëri-tjetrit.

E në fund, por jo për nga rëndësia, mr. Emin Sallahu na foli për UÇK-në si një domosdoshmëri e kohës sonë.

Në fund të kësaj përmbylljeje dua të theksoj se ne nuk jemi këtu për të dhënë çdo përgjigje të mundshme. Edhe po të duam, e kemi të pamundur këtë. Qëllimi ka qenë për të dhënë një mesazh në baza shkencore jo për të kaluarën, por duke parë të kaluarën për të sotmen dhe për të ardhmen. Dhe besoj se pyetja më e rëndësishme që ne shqiptarët duhet ta trajtojmë në mënyrë të vazhdueshme për brezat e rinj është: a është Kosova sot e pavarur prej fatit apo prej luftës? Nuk e kam një përgjigje të plotë për këtë pyetje. Kosova e pavarur është edhe prej fatit edhe prej luftës, sipas gjykimit tim. Nuk dua të bëj kumtesë të re, por si përmbledhje e kësaj konference: pa shqiptarët dhe pa luftën e UÇK-së nuk do të kishte Kosovë të pavarur. Nuk po themi që ekzistenca e UÇK-së prodhoi Kosovën e pavarur, po pa të nuk do të kishte Kosovë të pavarur. Nuk është e mjaftueshme ekzistenca e UÇK-së për Kosovë të pavarur, por mungesa e UÇK-së nuk do të mund të sillte një Kosovë të pavarur. Ky është mesazhi qendror që unë pashë në të gjitha kumtesat. Padyshim se nuk do të kishte Kosovë të pavarur pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk do të kishte Kosovë të pavarur pa NATO-n. Nuk do të kishte Kosovë të pavarur pa “rugovizmin” e viteve para ’90-tave, kur çështja e Kosovës do të ngatërrohej në çështje të përgjithshme të Jugosllavisë. Vetë Millosheviqi është një aktor thelbësor për pavarësinë e Kosovës, në të zezën e vet, dhe në të zezën e kombit të vet, në kuptimin afatgjatë çfarë ia doli që të humbiste. Nuk duhet të kishte një Kosovë të pavarur pa Rusinë e dobët të asaj periudhe, dhe këtu është momenti i dyfishtë pse 2001-shi do ta bënte diferencën, sulmet terroriste në Amerikë e, nga ana tjetër, fuqizimi i ri i Rusisë. Nuk do të kishte Kosovë të pavarur pa protestat e ’68-s, që prodhuan një brez të ri dhe status të ri të Kosovës. As pa protestat e ’81-shit. Nuk do të kishte Kosovë të pavarur pa Mehmet Hoxhën, që mundësoi që të ekzistonin ca kufij mbi hartë, kufij të një etniteti juridik, një njësi juridike. Pa u futur në analizën e pozitives dhe negatives, po t’i futemi gjësë së parë, çfarë do të kishte Kosovë të pavarur, s’ka pa kaçakët, s’ka pa Xhemijetin, sepse merita e kombit tonë është që edhe kur është dashur të arrinin kompromise, brezi që ka bërë këtë kompromis është një rritje. Një arritje e çdo brezi, në çastin që ka mbetur i mbyllur brenda kompromisit të vet, është ndryshuar nga një brez i ri. Ku veçohet UÇK-ja nga kjo meritë e kaçakëve, Xhemijetit e Mehmet Hoxhës, e protestave të ’68-s, ’81-shit e rugovizmit? Në fund është arritur kompromisi më i pranue­shëm për shqiptarët, që edhe ne sot s’e kemi problem. Do të donim të mos ishin dy shtete, por Kosova e pavarur është kompromis tërësisht i pranue­shëm dhe ky është produkt i UÇK-së. Pra është arritje finale, ose parafinale, por edhe kështu sikur të jetë në vijimësi, nuk është se përbën ndonjë dallim në nevojën tonë, dhe këtu UÇK-ja veçohet. Pra pa UÇK-në s’do të kishte një shtet të Kosovës sot, një Kosovë të pavarur, me vetë UÇK-në. Vetëm me UÇK-në prapë s’do të kishte. Është lufta e shqiptarëve, plus fati që na kanë mundësuar këtë gjë.

E nisëm këtë konferencë me idenë dhe me nismën e Bedriut, çfarë ndodhi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, të cilët janë katër individë që janë bashkëkohës me ne. Shumë prej jush i njihni perso­nalisht, i keni miq. Të tjerë jo. Shumë prej jush i doni politi­kisht. Të tjerë jo. Ajo që na bashkon është se nuk na interesojnë Thaçi, Krasniqi, Veseli, Selimi. Ajo që duhet t’i bashkojë të gjithë shqiptarët është se nuk janë ven­dosur përballë akuzës thjesht këta individë, se po të jetë se janë katër indi­vidë përballë akuzës për korrupsion, do të ketë njerëz që do t’i duan, do të ketë njerëz që s’do t’i duan dhe nuk na interesonin në planin afatgjatë. Nëse do të ishte se do të ishin atje për krime lufte të kryera vetë, shkenca nuk do të binte në kurthin e pyetjes, a ka pasur krime lufte nga të gjitha palët në luftë?!! Është kurth! Është kurth relativizues!

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi ndodhen nën akuzë si drejtues politikë të UÇK-së. E nëse drejtimi politik i UÇK-së qenka kriminal, thjesht pse është drejtues politik, jo doras, atëherë i bie që kemi të bëjmë me një agresor, i bie që UÇK-ja është agresore. Në çastin që zëdhënësi i UÇK-së është përballë tribunalit, se luante rolin e zëdhënësit të UÇK-së, e jo se ishte doras në një krim dhe, nga ana tjetër, zëdhënësi i agresorit është Shkëlqesia e tij, president i një vendi, atëherë këtu ka një padrejtësi. Ka një padrejtësi që në misionin fillestar, prandaj jemi sot këtu.

Dua ta përmbyll me një përvojë personale. Nuk e them këtë me sens modestie. Si një i ri Sarande, një kalama dhjetë 12 vjeç në vitin ’99, kur refugjatët e Kosovës arritën deri në Sarandë, lufta e Kosovës edhe na njohu me realitetin e viteve ’90-2000. Identiteti u fluidizua pak në Shqipëri, jo se nacionalizmi folklorik nuk qëndronte, jo se në Sarandë ishim më pak nacionalistë sesa janë sot apo sesa ishim pardje, por në kuptimin e një relativizimi kulturor të një ndikimi të huaj që ishte më i pasur dhe nga sytë i kishim të gjithë, e nga ana tjetër nga paradigmat e vjetra, të përçarjeve krahinore fetare, që i kemi shumë për qejf si komb, d.m.th. “malokët e veriut, të trashët e jugut”. Kur e thotë një lab këtë “maloku i Fushë-Kosovës”, ku të shkosh në Labëri është zakon, pothuaj kush është malok apo jo. Pra në këtë paradigmë të vitit ’99, ardhja e refugjatëve të Kosovës kontribuoi edhe në një gjë: kontribuoi që për herë të parë unë kam parë aq shumë flamuj në Sarandë. Jo se kishte flamuj grekë ndonjëherë në Sarandë, jo se kishte më pak nacionalizëm aty, por ata flamuj shqiptarë dhe rritjen e një identiteti të ri të fortë na solli lufta e Kosovës dhe refugjatët. Atëkohë u njohëm me një brez të ri. Dhe kjo ka shumë rëndësi. Prandaj, besoj se kjo konferencë është shumë e rëndësishme dhe dua ta falënderoj secilin, veçanërisht Bedriun në radhë të parë. Më falni që e veçoj.

Ne shqiptarët do të duhet ta shohim të shkuarën me mendjeftohtësi për të parë të ardhmen.

Së fundmi, një kërkesë për të gjithë ju: kumtesat t’i dorëzoni deri në fund të prillit, në mënyrë që të gjitha këto që u thanë sot, të jenë të shkruara dhe të mbeten në letër, me shpresën e madhe që do të kemi mundësi të vijojmë me konferenca të tjera të tilla, të kësaj cilësie, pikërisht me të njëjtin synim, sesi do të veprojmë ne si shqiptarë në vitin 2022 e tutje.

Faleminderit shumë!

Fjalë përmbyllëse për sesionin shkencor “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Është dimër, mbi ta po bien predha, nuk janë të…