Pa shqiptarët Maqedonia nuk do t’i kishte këto të arritura

16 janar 2019 | 13:01

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, ka bërë me dije se pa subjektet politike shqiptare Maqedonia nuk do të mund të arrinte deri këtu.

Ai ka deklaruar se pa mbështetjen e shqiptarëve nuk do të mund të ratifikoheshin ndryshimet e nevojshme kushtetuese të parapara me marrëveshjen e Prespës, e cila ia hapi rrugën Maqedonisë drejt integrime në NATO dhe BE.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Xhaferi ka vlerësuar se orientimet programore të shqiptarëve çdoherë kanë qenë pro integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. “Gjithsesi pa përcaktimin dhe pa mbështetjen e subjekteve politike shqiptare, deputetëve shqiptarë në parlament, nuk do të mund të arrihej e gjithë kjo. Dy të tretat e votave në parlament nuk mund të bëheshin pa mbështetjen e deputetëve shqiptarë. Mendoj se partitë politike shqiptare dhe deputetët shqiptarë kanë qenë të vetëdijshëm kundrejt përcaktimeve programore të tyre, me të cilat kanë dalë në zgjedhje dhe e kanë kërkuar votën e elektoratit”, ka thënë Xhaferi.

Ai ka vlerësuar se nuk ndien asnjë përgjegjësi për nënshkrimin e dy dekreteve të ligjeve të cilat, bashkë me tekstet përkatëse, janë dërguar për publikim në Gazetën Zyrtare.

Xhaferi ka treguar se prej fillimit të procedurës për nxjerrjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve ka vepruar në kuadër të veprimeve dhe procedurave të përcaktuara në Kushtetutë.

“Konsideroj se është keqpërdorur detyra zyrtare nga ana e presidentit të Republikës me mosnënshkrimin e dekretit për ligjin sepse, sipas nenit 8 të Kushtetutës, është e qartë ndarja e pushteteve në atë ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Presidenti është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe nuk mund të përzihet në pjesën e pushtetit ligjvënës dhe mos ta përmbushë obligimin vetë. Kështu që, sipas nenin 52, ligjet shpallen në gazetën zyrtare dhe ajo është kompetencë e parlamentit. Nuk kam mundur të lejojë që në pafundësi kreu i shtetit ta pengojë vendosjen në jetë të dy ligjeve për të cilat po flasim”, ka deklaruar ai, duke shprehur optimizëm se ligji për gjuhët do të zbatohet në përpikëri.

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë ka mohuar mundësinë që tani ky shtet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, Maqedonia nuk e ka luksin të shkojë në zgjedhje në kohën e nisjes së negociatave për integrimet euroatlantike.

“Epoka e re”: Z. Xhaferi, e keni firmosur Ligjin për përdorimin e gjuhëve, duke e dorëzuar për botim në Gazetën Zyrtare. Cila ka qenë ndjesia juaj në atë moment dhe çfarë rëndësie ka ky ligj për shqiptarët atje?
Xhaferi: Të them të drejtën nuk jam prej personave euforik për çështje që janë institucionale dhe procedurale të cilat duhet të kryhen. Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit dhe në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese kam nënshkruar dy dekrete të cilat bashkë me tekstet përkatëse i dërgova për publikim në Gazetën Zyrtare. Dekreti i parë ka qenë për shpalljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të cilin Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e ka nxjerrë në mars të vitit 2018 dhe i njëjti hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare. Dekreti i dytë ka të bëjë me Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë. Në kontekstin e ndryshimeve kushtetuese dhe të gjitha veprimeve në aspektin përgjithshëm që bëhen kemi mbajtur llogari për të mos dëmtuar procesin për integrimet euroatlantike, për faktin se ato janë përcaktime programore të subjektit të cilit i takoj. Për këtë arsye kemi shkuar paralelisht me dy proceset, që ta përcjellim bashkërisht edhe Ligjin për gjuhët dhe Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë sepse ditën e hënë u plotësuan të gjitha parakushtet që të dy ligjet të mund të adresohen në Gazetën Zyrtare.

“Epoka e re”: Presidenti maqedonas ka reaguar për mënyrën e tillë të procedimit të këtyre ligjeve, duke thënë se këto veprime janë jokushtetuese?
Xhaferi: Presidenti i shtetit duhet të mbajë llogari për përgjegjësitë që ka në raport me Kushtetutën për faktin se Kushtetuta në nenin 75 e obligon që pas rivotimit të ligjit, pra pas shfrytëzimit të vetos së tij, ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit. Meqenëse ai e ka refuzuar një gjë të tillë dhe kur veprimi i tij është bërë praktikë nga ai që të mos i respektojë vendimet e parlamentit, atëherë ne kemi vepruar. Sipas përcaktimeve të Kushtetutës, vlerat themelore të sistemit politik dhe të shtetit të Maqedonisë janë ndarja e pushteteve: ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Prej fillimit të procedurës për nxjerrjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve kam vepruar në kuadër të veprimeve dhe procedurave të përcaktuara në Kushtetutë dhe në Rregulloren për punë të Kuvendit. Përkundrazi, konsideroj se është keqpërdorur detyra zyrtare nga ana e presidentit të Republikës me mosnënshkrimin e dekretit për ligjin. Sipas nenit 8 të Kushtetutës, është e qartë ndarja e pushteteve në atë ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Presidenti është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe nuk mund të përzihet në pjesën e pushtetit ligjvënës. Kështu që, sipas nenin 52, ligjet shpallen në Gazetën Zyrtare dhe kjo është kompetencë e parlamentit. Nuk kam mundur të lejoj që në pafundësi kreu i shtetit ta pengojë vendosjen në jetë të dy ligjeve për të cilat po flasim. Me arsyetimet e duhura i kam përcjell dy ligjet në Gazën Zyrtare.

“Epoka e re”: Tani nuk mund ta ndalë askush fuqizimin e këtyre dy ligjeve?
Xhaferi: Absolutisht jo. Në bazë të Kushtetutës, nëse dikush dëshiron të ngrehë vlerësim të kushtetutshmërisë së këtyre dy ligjeve, duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Vetëm ky institucion mund të vlerësojë nëse këto ligje janë kushtetuese apo nuk janë kushtetuese. Askush tjetër nuk mund të bëjë vlerësime të tilla.

“Epoka e re”: Sa pritni që të zbatohet në praktikë ligji për gjuhët?
Xhaferi: Mendoj se ligji duhet të zbatohet ashtu siç është i sanksionuar me normat ligjore. Në normat kalimtare ka faza kalimtare ose afate për zbatim në praktikë të pjesëve kryesore. Në kuptimin e saj që nënkupton neni 7, në kontekstin e emërimit të institucioneve qendrore, është paraparë afati prej gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit që të zbatohet ky nen. Pra, që të bëhet ndërrimi i mbishkrimeve, tabelave dhe gjerave të tjera. Po kjo nuk nënkupton se gjërat e tjera që janë të rrjedhës së përditshme të presin. Ato mund të bëhen prej hyrjes në fuqi të ligjit. Prandaj ligji hyn në fuqi prej shpalljes në Gazetën Zyrtare, që i bie prej sot, ditë e martë.

“Epoka e re”: Kuvendi i Maqedonisë tashmë ka miratuar edhe ndryshimet kushtetuese rreth emrit, të cilat janë paraparë në marrëveshjen e Prespës. Cila është rëndësia e këtij veprimi të Parlamentit të Maqedonisë?
Xhaferi: Parlamenti ka zbatuar kompetencat e veta të paracaktuar në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Punës. Mbi këtë bazë ka siguruar shumicën e nevojshme të votave për t’i miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Ne kemi bërë hapin e duhur që t’i plotësojmë obligimet që burojnë nga marrëveshja me Greqinë. Tani mbetet që edhe parlamenti grek ta bëjë ratifikimin e marrëveshjes. Më pas parlamenti grek duhet ta bëjë edhe ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO dhe me këtë praktikisht hapet rruga e Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Në këtë drejtim deri në muajin qershor duhet t’i plotësojmë edhe kushtet e tjera për përcaktimin e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Me këtë përafrohet i gjithë procesi që të jemi në rrugën e duhur drejt integrimit të plotë të Maqedonisë në BE dhe në NATO.

“Epoka e re”: Në gjithë këtë proces, cili ka qenë kontributi i subjekteve politike të shqiptarëve që Maqedonia të vijë deri këtu?
Xhaferi: Pa përcaktimin dhe pa mbështetjen e subjekteve politike shqiptare, deputetëve shqiptarë në parlament, nuk do të mund të arrihej e gjithë kjo. Dy të tretat e votave në parlament nuk mund të bëheshin pa mbështetjen e deputetëve shqiptarë. Mendoj se partitë politike shqiptare dhe deputetët shqiptarë kanë qenë të vetëdijshëm kundrejt përcaktimeve programore të tyre me të cilat kanë dalë në zgjedhje dhe e kanë kërkuar votën e elektoratit. Pra, kanë qenë të vetëdijshëm për përcaktimin strategjik të tyre, të shtetit dhe të qytetarëve në përgjithësi, për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE. Në këtë kontekst mendoj se partitë politike shqiptare janë sjell në drejtim të duhur dhe në drejtim të interesave strategjike.

“Epoka e re”: Pas miratimit të këtyre ndryshimeve kushtetuese kemi pasur një reagim të opozitës në Maqedoni, e cila ka kërkuar zgjedhje të reja. Janë të nevojshme zgjedhjet e reja në këtë shtet?
Xhaferi: Është e drejtë e çdo subjekti politik që të ketë mendim ndryshe ose të ketë kërkesa të caktuara. Në këtë drejtim është edhe e drejta e opozitës që të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Unë si kryetar parlamenti nuk mendoj se Republika e Maqedonisë e ka luksin që në këtë moment të volitshëm drejt integrimeve euroatlantik të rikthehet mbrapa, pra me një proces zgjedhor të parakohshëm. Me këtë veprim do të pezulloheshin kompetencat e të gjitha institucioneve, ndërsa bisedimet për integrime duhet t’i bëjnë institucionet përkatëse. Nëse jemi në fushatë zgjedhore nënkuptohet se nuk ka parlament, nuk ka qeveri dhe atëherë kush do të jenë ata që do të bëjnë bisedime për anëtarësim në NATO dhe BE.

(Muhamet Koci /Epoka e re)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka filluar të zbatohet amendamenti i Ligjit për Mbrojtjen e…