Pa ujë të pijshëm dhe të “shkëputur” nga bota, situata pas shpërthimit të vullkanit

17 janar 2022 | 14:51

Autoritetet e Zelandës së Re kanë dërguar një avion për të vlerësuar shkallën e dëmit të shkaktuar në ishujt fqinjë Tonga pas shpërthimit masiv vullkanik dhe cunamit që goditi vendin, në një kohë kur kombi i vogël i Paqësorit mund të mbetet pa telekomunikacion dhe ujë të pijshëm  për dy javë.

Shpërthimi i së shtunës ishte aq i fuqishëm sa u dëgjua deri në Alaskë, duke shkaktuar një cunam në Oqeanin Paqësor që goditi shumë vende nga Japonia deri në Shtetet e Bashkuara.

Zelanda e Re dërgoi një avion mëngjesin e sotëm  për një vlerësim fillestar të dëmeve në zonë dhe ishujt përreth.

Sipas autoriteteve të Zelandës së Re, katastrofa natyrore ka shkaktuar “dëme të konsiderueshme” në ishujt Tonga, megjithëse deri më tani nuk është raportuar asnjë vdekje apo lëndim në arkipelag.

Më shumë se 10,000 kilometra larg, në Peru , dy gra u mbytën në një plazh në pjesën veriore të vendit për shkak të “valëve të pazakonta” të shkaktuara nga shpërthimi vullkanik në Tonga.

Komunikimet përmes internetit apo telefonit janë jashtëzakonisht të kufizuara, duke pamundësuar raportimin për situatën reale.

“Dëm i madh është raportuar në gjirin perëndimor Tongtapu”, ka thënë një Komision i Lartë i Zelandës së Rre në Tonga, përmes një postimi në Facebook.

“Një shtresë e madhe e pluhurit vazhdon të shihet përmbi Tongatapu”, ka thënë Komisioni.

Korrespondentja për Paqësor e Televizionit të Zelandës së Re, Barbara Dreaver, ka thënë përmes një postimi në Facebook se do të duhen “të paktën edhe dy javë para se thirrjet ndërkombëtare dhe interneti të jenë funksionalë sërish”, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vullkani.

Shpërthimi vullkanik shkaktoi një cunami në Oqeanin Paqësor, me valë 1.74 metra të larta në Kili dhe më të vogla përgjatë bregut të Paqësorit nga Alaska në Meksikë. Dallgët 1.2 metra të larta goditën Japoninë .

Qyteti Santa Cruz në Kaliforni u përmbyt nga dallgët e baticës të shkaktuara nga cunami, sipas videove të postuara nga Agjencia Meteorologjike e SHBA./oranews/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asamblistja në komunën e Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje,…