Pa votat e opozitës miratohet projektligji për racionalizimin agjencive të pavarura

14 prill 2022 | 13:06

Kuvendi i Kosovës pas një debati të gjerë të zhvilluar të enjten në seancën parlamentare, ka votuar me 64 vota për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura, të cilin e ka arsyetuar ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Ky projektligj është kritikuar nga opozita dhe ka pasur edhe përplasje ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Deputetët nga PDK-ja kanë kritikuar ministrin e Brendshëm, se me anë të këtij projektligji po e kthen Kosovën në kohën e UNMIK-ut.

Derisa deputeti nga LDK-ja, Driton Selmanaj, ka thënë se ministri Sveçla nuk është kompetent të hartojë këtë projektligj.

Madje, ai ka thënë se kushdo që ia prek statusin Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, e prek Kushtetutën.

“Kjo praktikë jo që është e mbrapsht, por s’ka asnjë kuptim. Racionalizimi i agjencive mund të jetë objektivë, nuk mund të transformohet në ligj special. Të gjithë jemi që të kemi kujdes dhe në qasje për të racionalizua ekzistimin e shumë agjencive të pavarura në Kosovë, që për nga statuti vërtet duan sqarim. Kemi agjenci ekzekutive brenda qeverisë, kemi agjenci që i raportojnë Kuvendit, kemi agjenci rregulluese që janë të tepërta, edhe për nga numri, edhe për nga forma e funksionimit. Por, kjo në kuptim të idesë, për racionalizim nuk jep të drejt një ministri që flet për policinë, të na tregoj tash se qysh institucionet e kulturës me u rregulluar, qysh statusi i tyre me ndryshua. Por, kjo është e pakuptimtë, besoni. Unë kam një kërkesë për kryeministrin, jo për ministrin. Kryeministër të lutem, kushtoju rëndësi kapaciteteve dhe resurseve njerëzore që draftojnë iniciativa të tilla. Mos na sillni në kuvend në këtë situatë, sepse kjo është e pa kuptimtë. Duhet njerëz profesionist të fushave të caktuara t’i trajtojnë këto çështje”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku, duke kundërshtuar këtë projektligj, ka thënë se ministri Sveçla po vepron sipas tekeve të tij.

“Shprehim kundërshtimin tonë, dhe shohim realisht që ministri i Punëve të Brendshme po na kthen në kohën e UNMIK-ut, se nuk po ka as praktikë më të mirë parlamentare dhe po donë me vendos vetëm si i teket atij”, ka thënë ai.

Megjithatë, ministri Xhelal Sveçla, ka thënë se përfitimet shtetërore nga ky proces i racionalizimit kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e llogaridhënies së agjencive.

“Përfitimet shtetërore nga ky proces i racionalizimit kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së shërbimeve, rritjen e llogaridhënies së agjencive dhe dinamizimin e punës së këtyre institucioneve. Prandaj, kërkoj që ta mbështesni këtë projektligj dhe reformimin e administratës publike”,  ka thënë ai.

Kundër këtij projektligji janë shprehur edhe grupi parlamentar i AAK-së, ku sipas shefi të këtij grupi, Besnik Tahiri, opinioni i Zyrës ligjore, e qartëson në mënyrë të qartë.

“Ne jemi në një situatë ku fatkeqësisht e kemi një opinion të Zyrës ligjore, që na thotë në mënyrë eksplicite: Nuk mundeni me një ligj të vetëm me riorganizua katër ligje të tjera”, ka thënë i ai.

Derisa deputeti nga LV-ja, Adnan Rrustemi, ka vlerësuar se kjo praktikë nuk është e panjohur për vendin.

Madje, për deputetin Selmanaj, ai ka thënë se ka aftësi për ta bërë “lëmsh” materien.

Në replikë, deputeti Selmanaj, ka thënë se ka aftësi t’i jap zgjidhje situatave, jo për t’i bërë “lëmsh”.

Në fund ministri Xhelal Sveçla ka thënë se janë tri opinione ligjore të cilat mbështesin këtë metodë.

Ai ka thënë se për këtë qasje kanë një mbështetje edhe nga Zyra Bashkimit Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka zgjatur…