Komuna e Podujevës bën thirrje që të legalizohen ndërtimet pa leje

14 prill 2022 | 12:55

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka zgjatur për herë të fundit afatin për aplikim për legalizim të ndërtimeve pa leje, i cili përfundon më 4 shtator.

Komuna e Podujevës përmes një njoftimi për media ka theksuar se legalizimi është i rëndësishëm për arsye se bëheni pronar legjitim i pronës.

“Legalizimi është i rëndësishëm sepse ju bëheni pronar legjitim i pronës dhe mund ta shfrytëzoni atë në bazë të qëllimeve tuaja si ta jepni me qira, ta shisni, ta dhuroni, të merrni kredi bankare, ta lëni hipotekë, etj. Aplikimi për legalizim bëhet në Drejtorinë e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit për komunën tonë”, ka njoftuar Komuna e Podujevës.

Taksa e legalizimit është shumë e ulët: kategoria e I (që janë shtëpi deri 450 m2, është 1 euro për m2), kategoria e II (që nuk janë shtëpi, është 2 euro për m2).

“Megjithatë, nuk duhet të paguani taksë nëse: shtëpia juaj është ndërtuar me leje, shtëpia juaj është rindërtuar gjatë periudhës së pasluftës ose për shkak të trazirave sociale, jeni përfitues i skemës së asistencës sociale, ndërtimi juaj identifikohet në ortofoto zyrtare të vitit 2004. Certifikata e legalizimit lëshohet nga Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit brenda 60 ditëve pas aplikimit. Kjo certifikatë vërteton se prona juaj është regjistruar në Kadastër dhe se ju jeni pronar i ligjshëm i pronës”, ka njoftuar Komuna e Podujevës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Një zjarr i madh ka shpërthyer në një objekt…