Pacolli kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

31 gusht 2018 | 16:07

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, me ftesë të eurodeputetit Lukas Mandl, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, ka mbajtur një ligjëratë mbi zhvillimet aktuale në Kosovë në “Shtëpinë e Unionit Evropian në Vjenë”.

Në fjalën e tij, Pacolli ka falënderuar Austrinë dhe qytetarët e saj për mbështetjen e vazhdueshme në afirmimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Para të pranishmëve, Pacolli ka paraqitur një bilanc dhjetëvjeçar të zhvillimeve të përgjithshme në vend, duke u fokusuar gjithashtu edhe në sfidat e brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës është një realitet dhe fakt i pamohueshëm. Republika e Kosovës paraqet një storie të suksesit, jo vetëm të angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të bashkëjetesës ndërmjet qytetarëve të saj me përkatësi të ndryshme etnike dhe fetare. Këto 10 vite janë një sukses enorm, me të cilin ne padyshim duhet të jemi krenar”, ka thënë Pacolli.

Duke u ndalur në rrugën evropiane të Republikës së Kosovës, Pacolli ka thënë se votimi i djeshëm me shumicë votash në Komitetin për Çështje të Brendshme në Parlamentin Evropian (LIBE) për heqjen e vizave për Kosovën, është dëshmia më e mirë e vendosmërisë dhe përkushtimit të Kosovës për përmbushjen e të gjitha zotimeve, objektivave dhe detyrimeve, që dalin nga procesi integrues.

“Evropa paraqet një lloj mozaiku, i cili nuk do të jetë i plotë pa integrimin e Republikës së Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Pacolli.

Ndërsa në lidhje me dialogun që është duke u zhvilluar në Bruksel me në mes të Kosovës dhe Serbisë, Pacolli ka thënë se vazhdimisht ka qenë në përkrahje të dialogimit dhe zgjidhjes së problemeve fqinjësore bilaterale në mënyrë paqësore.

Pacolli ka thënë se është kundër shkëmbimeve territoriale dhe pro afirmimit të zonave ekonomike, përmes së cilave qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie do t’i ofrohet një perspektivë e qartë e hapjes së vendeve të reja të punës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
A ta donë për një Iphone X ? Është kampanjë…