Pacolli mbështet idenë e krijimit të zonës ekonomike amerikane

13 maj 2018 | 14:31

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është zotuar se do ta shtyjë përpara idenë për krijimin e zonës së veçantë ekonomike për amerikanët.

Ai në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se ka shumë kompani amerikane që janë të interesuara të investojnë në Kosovë.

“Mbështes fuqishëm idenë e lansuar për krijimin e zonave ekonomike e në këtë rast, më theks të veçantë një zonë për investitorët amerikanë në Kosovë, e cila do të ishte shtyllë e shtuar e marrëdhënieve strategjike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të tërheqë kompanitë amerikane për të ardhur në Kosovë”, ka deklaruar Pacolli.

Ai ka shtuar se për një kohë të gjatë ka promovuar idenë e zonave ekonomike në Kosovë, që sipas tij, do të tërheqin më shumë investime të huaja, do të sjellin kapital të huaj dhe ekspertizë në Kosovë, si dhe do të krijojnë vende të reja pune për rininë, duke u dhënë atyre një të ardhme më të ndritur.

“Në mandatin qeverisës 2011/2014 arritëm të bëjmë përgatitjen ligjore por më vonë nuk u bë asgjë”, ka thënë Pacolli.

Zëvendëskryeministri Pacolli ka pohuar se ka shumë kompani amerikane në Kosovë dhe shumë më tepër mund të vijnë nëse krijojnë kushte që do ta bënin Kosovën më tërheqëse në rajon dhe në Evropën Lindore.

“Unë do ta shtyjë në qeveri këtë ide që së shpejti të marrim vendimin për të krijuar një zonë ekonomike për investitorët amerikanë dhe për të organizuar një Forum ekonomik-investimesh midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara që do të bashkonte komunitetin e biznesit të dy vendeve tona. Besoj se do të kemi rezultate konkrete duke sjellë më shumë investime, duke krijuar më shumë vende pune dhe duke pasur një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, ka thënë Pacolli.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Eagles Aarau mund të ndodh që sezonin 2017/18, ta…