Pacolli merr mbështetje nga Departamenti Amerikan i Shtetit

30 nëntor 2017 | 15:43

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) është pritur në një takim të ndarë në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASh) nga ndihmëssekretari i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Wess Mitchel, i cili shoqërohej edhe nga zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Hoyt Yee.
Në kuadër të këtij takimi, është diskutuar mbi nivelin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, duke përfshirë çështjet më prioritare, zhvillimet e gjithëmbarshme politike në rajon, si dhe nevojën e rritjes së angazhimit amerikan në këtë pjesë. “Zhvillova një takim shumë pozitiv me ndihmëssekretarin e Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Wess Mitchel dhe zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit, Hoyt Yee. Rikonfirmuam bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve dhe dy popujve në të gjitha fushat. Mbështetja amerikane për Kosovën do të vazhdojë të jetë edhe më e fuqishme dhe do të ketë angazhim më të madh të ShBA-ve në Kosovë dhe rajon. Do të jemi në sintoni të plotë në çdo hap dhe veprim. Kalimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe fillimi i dialogut Kosovë – Serbi mbeten çështje kryesore. Partneriteti dhe aleanca jonë strategjike është e palëkundur dhe e përjetshme”, ka thënë Pacolli. Ndihmëssekretari i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Wess Mitchel, ka pranuar detyrën e tij të re në tetor të këtij viti, ndërsa është përgjegjës për marrëdhëniet diplomatike me 50 vende të Evropës dhe Euro-Azisë, duke përfshirë NATO-n, BE-në dhe OSBE-në.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ministri i Forcave të…