Pacolli, ministrave të jashtëm: Njohja e Kosovës, kontribut për paqen në rajon

31 tetor 2019 | 16:06

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, të enjten u është drejtuar ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Në Monako ku po zhvillohet konferenca e 38-të e kësaj organizate, ministri Pacolli ka prezantuar arritjet e Republikës së Kosovës dhe angazhimin e saj për misionin e Frankofonisë.

Shefi i diplomacisë së Kosovës me këtë rast, ka theksuar nevojën që bashkësia ndërkombëtare të vazhdojë të mbështesë shtetin e Kosovës në nivelin global, pasi siç ka thënë ai, qasja e këtillë është kontributi më i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe është njohje e rolit konstruktiv që luan Kosova.

“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha vendet në mënyrë miqësore dhe bashkëpunuese, por u bëj thirrje të gjitha shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën deri më tani, ta marrin këtë vendim dhe të na mbështesin në përpjekjen tonë për anëtarësim edhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka thënë Pacolli.

Në ndërkohë në margjinat e kësaj konference, ai ka zhvilluar shumë takime bilaterale me ministra të jashtëm të hapësirës frankofone.

“Qëllimi është të vazhdojmë angazhimin tonë për të kundërshtuar agresionin diplomatik dhe propagandistik serb dhe t’i shpjegojmë botës mënyrën e ndyrë që Serbia po përdor kundër Kosovës”, ka deklaruar Pacolli.

Kosova është anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë si anëtare vëzhguese në vitin 2014, ndërsa në tetor të vitit të kaluar asaj i është  ngritur statusi në anëtar të asociuar.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të…