Pagat e ulëta, OShP-ja përballet me mungesë të stafit

03 prill 2024 | 16:01

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja, ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje u shqyrtua dhe u miratua raporti me rekomandime i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, faza e dytë.

Komisioni po ashtu miratoi raportin plotësues për Projektkodin Doganor dhe shqyrtoi raportin vjetor të punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2023.

Kryetarja e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, duke prezantuar raportin vjetor të punës tha se gjatë vitit 2023 OShP-j ka pranuar gjithsej 1071 lëndë, ku 354 prej tyre janë kthyer në rivlerësim, ndërsa 85 lëndë janë anuluar krejtësisht.

Kryetarja e OShP-së tha se ka vonesa në trajtimin e lëndëve në këtë institucion, pasi që, sipas saj, OShP-ja po përballet me mungesë të stafit.

Gradinaj-Mexhuani shtoi se për shkak të koeficientit të ultë të pagave shumë nga punëtorët e OShP-së kanë dhënë dorëheqje nga puna, ndërsa stafi aktual është duke u përballur me fluks të shtuar të punës në mënyrë që lëndët të trajtohen në afatin e paraparë.

Pas prezantimit të raportit, deputetët shtruan pyetje për kryetaren e OShP-së dhe bashkëpunëtorët e saj, për shumë çështje që lidhen me veprimtarinë e këtij institucioni.

Në fund Komisioni vendosi që në një mbledhje të radhës përfaqësuesit e OShP-së të ftohen në raportim për raportin vjetor financiar, ndërsa për mbledhjen e ardhshme u shty shqyrtimi i raportit vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2022 dhe 2023.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka filluar puna për ndërtimin e një qendre për regjistrimin…