Pajaziti: Prishtina e fortë, por triumfon Gjilani

23 tetor 2018 | 18:09

Tri pikët e marra në ndeshjen ndaj Feronikelit në fundjavë e kanë motivuar trajnerin e Gjilanit, Sadat Pajaziti, i cili kërkon edhe tri pikë të reja në derbin me Prishtinën. “Ne do të angazhohemi maksimalisht që edhe në këtë ndeshje të arrijmë fitore dhe të vazhdojmë në këtë mënyrë deri në fund të sezonit vjeshtor”, ka thënë Sadat Pajaziti.

KF Gjilani në fundjavën që e lamë pas e arriti një fitore shumë të rëndësishme në ndeshjen ndaj skuadrës lidere në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, Feronikelit, për të cilën skuadër ishte edhe humbja e parë në këtë kampionat.

Trajneri i Gjilanit, Sadat Pajaziti, të hënën për “Epokën e re” ka thënë se është shumë i kënaqur me faktin se skuadra e tij ka dalë triumfuese ndaj një kundërshtari të fortë siç është “Nikli” nga Drenasi. “Jam i kënaqur me lojën e shfaqur dhe fitoren e arritur ndaj Feronikelit. Jemi përgatitur mirë për atë ndeshje dhe ia kemi arritur qëllimit. Kemi pasur në vazhduesi paraqitje të mira edhe në disa prej ndeshjeve të kaluara dhe kjo fitore ndaj një skuadre siç është Feronikeli na jep edhe më shumë motiv për ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Pajaziti.

Në kuadër të xhiros së dymbëdhjetë në elitë, Gjilanin e pret edhe një tjetër ndeshje derbi, pasi luan ndaj skuadrës së Prishtinës. Kjo e fundit renditet në pozitën e dytë në renditjen tabelore kurse, sipas Pajazitit, Feronikeli dhe Prishtina janë skuadrat më të mira momentalisht në futbollin e Kosovës.

Strategu nga Lugina e Preshevës kërkon maksimumin edhe në ndeshjen ndaj kryeqytetasve. “Normalisht se edhe ndeshja e radhës është mjaft e fortë, pasi përballemi me Prishtinën që, së bashku me Feronikelin, janë dy skuadrat më të forta në futbollin e Kosovës. Me kënaqësi e pres ndeshjen ndaj Prishtinës, e cila do të sjellë një rivalitet të madh, por edhe një atmosferë në tribunë. Ne do të angazhohemi maksimalisht që edhe në këtë ndeshje të arrijmë fitore dhe të vazhdojmë në këtë mënyrë deri në fund të sezonit vjeshtor, pastaj kemi kohë të organizohemi edhe më shumë si skuadër dhe, pse jo, të angazhojmë edhe ndonjë futbollistë”, ka shtuar ai.

Skuadra e Gjilanit renditet në pozitën e pestë me 17 pikë, gjashtë pikë më pak se skuadra kryesuese në ligë. Prej njëmbëdhjetë ndeshjeve të zhvilluara, Gjilani ka pesë fitore, dy barazime dhe katër humbje.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Leroy Sane është një nga futbollistët që po spikatin te…