Pajisjet e mbrojtjes për FSK-në vijnë në 2020-n

02 janar 2020 | 12:07

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka bërë me dije se ushtria e Kosovës ka përmbyllur në mënyrë të suksesshme vitin e parë të tranzicionit.

Në këtë intervistë dhënë për numrin festiv të gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se ushtria i ka përmbushur të gjitha objektivat që i ka pasur për vitin 2019.

Rama ka treguar se këtë vit FSK-ja ka nënshkruar kontrata të rëndësishme për armatim dhe pajisje të tjera.

Ai ka bërë me dije se pajisjet për mbrojtje që janë konform mandatit të ri të FSK-së do të arrijnë në Kosovë gjatë vitit 2020.

“Epoka e re”: Z. Gjeneral, po bëhet një vit prej kur ka filluar tranzicioni i FSK-së në ushtri. Si ishte viti i parë për ushtrinë?

Rama: Është bërë një vit që janë aprovuar ligjet për tranzicionin e FSK-së në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ne zyrtarisht tranzicionin e kemi filluar më 21 janar. Ajo që mund të them është se tani FSK-ja është shumë më e përgatitur, më e trajnuar dhe shumë më mirë e pajisur. Mund të them se ka qenë një vit i suksesshëm duke i ka kaluar pritjet tona dhe planin që kemi pasur. Ky vit më tepër ka qenë në kuptimin administrativ të tranzicionit të institucioneve në Ministrinë e Mbrojtjes, ku kemi ndërtuar Shtabin e Përgjithshëm. Prioritet tjetër ka qenë ndërtimi i kapaciteteve trajnuese në TRADOK bazuar në mandat dhe mision të ri. Ajo që e kemi arritur këtë vit ka qenë ndërtimi i Gardës Kombëtare të Kosovës, e cila është një njësi e re që nuk ka ekzistuar në të kaluarën. Mbi bazën e plantit tonë afatgjatë dhjetëvjeçar që kemi ndërtuar bashkërisht me partnerët tanë, ne kemi bërë një analizë dhe kemi arritur ta ndërtojmë këtë njësi, e cila është edhe një e arritur e jashtëzakonshme. Kemi bërë ndryshimin e manualeve, rregulloreve të doktrinave dhe procedurave të standardeve operative. Bazuar në të gjitha këto aktivitete, del se kemi tejkaluar planin tonë duke u bazuar në misionin dhe mandatin e ri që kemi.

“Epoka e re”: Sa sfiduese ka qenë përmbushja e objektivave të vitit të parë të tranzicionit?
Rama: Çdo tranzicion i ka sfidat e veta. Nuk mund të them se kemi pasur ndonjë sfidë të jashtëzakonshme apo të patejkalueshme. Një e arritur tjetër që kemi pasur këtë vit është rekrutimi i 700 ushtarëve të rinj, ku i kemi kryer edhe trajnimet bazike. Kemi arritur që edhe 200 të tjerë t’i kthejmë nga komponenti rezerv në atë aktiv. Pra, FSK-ja këtë vit po e përmbyll me 900 ushtarë të rinj.

“Epoka e re”: Në fund të këtij viti si sfidë e papritur ishte rasti i tërmetit në Shqipëri, ku ushtria e Kosovës shumë shpejt u mobilizua dhe iu përgjigj kërkesës për ndihmë autoriteteve shqiptare?

Rama: Neve na vjen keq për atë që ka ndodhur në Shqipëri, por në atë rast ne vetëm kemi kryer detyrat tona bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Ushtria gjithmonë duhet të jetë e gatshme për çfarëdo sfide që do të vijë edhe në të ardhmen. Tërmeti në Shqipëri ka qenë fatkeqësi natyrore, pra një fatkeqësi për shtetin shqiptar. Njësitet tona janë të trajnuara dhe të pajisura mirë për këto raste. Ky veprim i shpejtë është si rezultat i bashkëpunimit dhe përkrahjes që kemi pasur nga partnerët gjatë procesit të ngritjes. Pra, nuk është rezultat apo e arritur vetëm e jona. Pjesë e këtij suksesi që u pa edhe në këtë fatkeqësi janë edhe partnerët tanë strategjikë, të cilët prej fillimit na kanë trajnuar dhe pajisur për këto raste. Tani jemi si qendër regjionale trajnuese për kërkim-shpëtim urban. Por, merita më e madhe është e atyre pjesëtarëve, oficerëve dhe nënoficerëve që kanë marrë pjesë direkt në atë operacion, i cili ka qenë shumë domethënës për shtetin shqiptar. Dhe në këto raste siç dihet detyra e parë e çdo ushtari është shpëtimi i jetëve.

“Epoka e re”: Performanca e ushtarëve të FSK-së në këtë aksion ka qenë e lartë. Për të vlerësime kanë dhënë autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë të FSK-së. Çfarë do të thonë për FSK-në dhe Kosovën këto vlerësime?

Rama: E përmenda edhe më herët se ky nuk është vetëm sukses i FSK-së, por i gjithë Kosovës. Vlerësimi që na kanë dhënë krerët më të lartë të shtetit shqiptar, prej presidentit dhe kryeministrit, duke ndarë medalje për njësitet tona, na kanë bërë të ndihemi krenarë. Mua më gëzon fakti se kemi marrë vlerësime të larta edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nga ata që këto kapacitete i kemi ngritur së bashku. Natyrisht se këto vlerësime që kemi marrë nga Shqipëria dhe partnerët tanë, por edhe nga vetë qytetarët shqiptarë që kanë pësuar nga tërmeti, na bëjnë të ndihemi krenarë me forcën tonë. Ne vetëm e kemi kryer detyrën tonë si forcë. Pas çdo aksioni ne e kemi procedurën e analizës së pasveprimit ku analizojmë veprimet tonat dhe i nxjerrim mësimet e mësuara, në mënyrë që në të ardhmen të jemi sa më të përgatitur. Ne lutemi që të mos ndodhin fatkeqësi natyrore asnjëherë por, pavarësisht nga dëshirat, ne jemi të obliguar të jemi të gatshëm për çdo sfidë që i kanoset vendit apo vendeve në rajon.

“Epoka e re”: Cilat janë objektivat e ushtrisë së Kosovës për vitin 2020?

Rama: Edhe për vitin 2020 i kemi objektivat e qarta. Ne kemi një plan gjithëpërfshirës të zhvillimit. Pra, kemi planin në detaje për secilën njësi se çfarë detyra dhe obligime ka si në kuptimin e ngritjes profesionale, të pajisjeve, infrastrukturës dhe të gjitha elementeve të tjera. Domethënë, prioritetet tona do të jenë të bazuar në objektivat strategjike të ministrisë dhe ne jemi të obliguar që ato objektiva strategjike t’i realizojmë, duke u bazuar në planin tonë gjithëpërfshirës. Ky vit do të jetë më shumë i fokusuar në trajtimin dhe zhvillimin profesional të të gjithë njësive, duke marrë parasysh mandatin dhe misionin e ri. Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes (TRADOK) do të jetë prioriteti yni sepse do t’i ndërtojmë ato kapacitete trajnuese që janë të nevojshme për misionin dhe mandatin e ri. Për këtë do të kemi përkrahje edhe nga ana e partnerëve tanë dhe nuk shoh ndonjë sfidë.

“Epoka e re”: Në cilin vit të tranzicionit pritet të vërehet më shumë ndikimi i FSK-së në raport me forcat e tjera që garantojnë sigurinë në Kosovë?

Rama: Mendoj se këto raporte të ndryshimit vërehen edhe tani, në vitin e parë. Mendoj se do të vërehet çdo vit e më tepër sepse për çdo vit do të vërehen ndryshimet në kuptimin e ngritjes së standardeve. Këto përgjegjësi i kemi mbi bazën e ligjeve që janë në fuqi. Është normale se tranzicioni nuk mund të përfundojë brenda një kohe të shkurtër. Ky proces do të marrë kohë, por ne do ta bëjmë më të mirën e mundshme në bazë të kapaciteteve që kemi.

“Epoka e re”: Po pajisjet me armatim, kur mund të shihen?

Rama: Në këtë drejtim ne kemi filluar pa humbur kohë duke bërë kontrata të rëndësishme këtë vit. Ndërsa në vitin 2020 pritet të arrijnë ato pajisje, sepse pajisjet e mbrojtjes janë pak më specifike dhe kanë procedura kohore të posaçme që marrin kohë deri të prodhohen duke u bazuar në kërkesat tona. E rëndësishme është që këtë vit i kemi përmbushur nevojat dhe kërkesat në bazë të mundësisë buxhetore. Pra, kemi nënshkruar kontrata të rëndësishme dhe rezultatet do të shihen vitin e ardhshëm.

“Epoka e re”: Mund të na përmendni, nëse ju lejohet, se për çfarë kontrata dhe pajise bëhet fjalë?

Rama: Do të ishte mirë që këtë t’ia lëmë kohës. Ato pajisje janë në përputhje të mandatit dhe misionit të ri që kemi marrë. E kemi obligim ligjor që t’i ndërmarrim të gjitha masat dhe të jemi të gatshëm për misionin e ri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me përfundimin e festave të fundvitit, edhe mërgimtarët kanë nisur…