Panoramë nga fshati Caravik

24 janar 2024 | 09:57

Berat Dakaj

Lufta përfundoi, lirinë e nuhatëm. Pasi e çmontuam shatorin dhe i bëmë gati të gjitha gjësendet që kishim brenda tij dhe i ngarkuam në rimorkio, na duhej traktori për ta tërhequr. Atë që e kishim më parë, “Shtore 402”, s’e kishim më. Serbët e shkatërruan. Baba ia mori traktorin një mikut nga Negroci dhe nga Tërdevci u nisëm për Cerovik (atëkohë quhej kështu). Lëndinat plot bar dhe kafshë të vrara. Kur erdhëm në shtëpi, era shkrumb kudo. Kafshë të vrara edhe në oborr. Edhe qenin Lesi, të cilin më së shpeshti e ushqenim unë dhe gjyshja, serbët e kishin vrarë pranë hambarit. Ai nuk e pati lëshuar shtëpinë. U bë rojë e saj dhe viktimë. E nisëm jetën e re mes rrënojave. Na mungonte shumëçka. Më së shumti njerëzit. Në ditët e para pas luftës fshati ynë kishte pak njerëz, megjithatë dita-ditës popullohej. Të shpërngulurit ktheheshin orë e çast. Kush kishte shtëpi të pashkatërruar, fuste kokën në të. Kush nuk kishte, ngrehte një shator mes oborrit dhe bënte gjumë në të. Nuk e kishin problem të flinin brenda tij, se qenë mësuar nëpër lëndina dhe male. Pas dy a tre muajve punohej pothuajse në secilën shtëpi. Njerëzit i meremetonin shtëpitë e djegura, disa i nisnin të reja. Gjallëri në gjithë fshatin. Edhe arat u mbushën me traktorë. Për shkak se kishin vuajtur për bukë në fusha dhe male gjatë luftës, të gjithë bujqit ia dinin rëndësinë tokës. Hidhnin farë në të me dorë për të korrur një ditë grurë dhe prerë misër. I madh e i vogël e donin fshatin. E donin tokën. Por, ndërkohë, nisi lufta tjetër. Lufta për ekzistencë dhe për jetë më të mirë, e cila vit pas viti bëhej më e rreptë. Të rinjtë dhe të rejat përshëndeteshin me prindër, me familjarë dhe ua mësynin qyteteve të Kosovës dhe të botës. Fshati boshatisej nga njerëzit. Kafshët nuk i mbarësonin më as me injeksion. Ato që i kishin, disa i thernin dhe i hanin, disa i shitnin. Traktorëve iu ra çmimi, se nuk punonte me ta më askush. Edhe tokës i ra çmimi përtokë. Bukës së furrës jo. As veturave. Lindjes së njerëzve, po. Rrallë gjen në lagjen tonë nënë që lind më katër fëmijë. Rrallë gjen nënë që s’ia vë drynin anit pas dy a tre fëmijëve. Sot në lagjen time ka shtëpi shumë të bukura dhe të shtrenjta. Shtëpi 200 000 mijë euro. Ka shumë shtëpi brenda të cilave nuk frymon njeri. Të rinjtë kanë dalë në Perëndim, prindërit e tyre në shehër. Ata që janë në Perëndim vijnë dy herë në vit i hapin dyert e tyre dhe rrinë dhjetë ditë, ata që janë në shehër vijnë kohë pas kohe. Vijnë i kërkojnë shenjat e vjetra. Ato të trashëguara. Kullat, puset, pemët… Qajnë dhe qeshin prej zori dhe, pasi gjumin në shtëpitë luksoze nuk mund ta bëjnë vetëm, kthehen në banesa. Kthehen te kolektivi i panjohur për të jetuar edhe ndonjë ditë. E një ditë, ashtu siç janë bërë nga balta, meqë e dinë se baltë do të bëhen, duan të prehen pranë shenjave të veta: nënës, babës, vëllezërve, motrave. Ende shpresojnë se atje ka kush t’u thotë lamtumirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Musa Sabedini Vrasja e 18 vjeçarit në Podujevë gjithsesi…