Papa Françesku kërkon eliminimin e armëve bërthamore

24 nëntor 2019 | 17:02

Papa Françesku ka dënuar përdorimin e armëve bërthamore dhe e ka cilësuar atë si “krim”. Këto komente ai i ka bërë gjatë një fjalimi në qytetin japonez Hiroshima, njërin nga dy qytetet që u sulmuan nga ushtria amerikane me bomba bërthamore në Luftën e Dytë Botërore.

“Përdorimi i energjisë bërthamore për qëllime të luftës është sot më shumë se kurrë më parë, jo vetëm që është krim kundër dinjitetit të qenieve njerëzore, por është kundër çdo të ardhmeje të mundshme në shtëpinë tonë të përbashkët”, ka thënë Papa gjatë qëndrimit në Memorialin e Paqes në Hiroshima.

Më 6 gusht, 1945, bomba e parë bërthamore u lëshua nga ShBA-ja në Hiroshima, duke vrarë rreth 140 mijë persona. Tre ditë më vonë, bomba e dytë bërthamore vrau 74 mijë persona në Nagasaki.

Më herët gjatë ditës, Papa ka vizituar Nagasakin, ku ka bërë thirrje që bota të eliminojë armët bërthamore.

“Ky vend na bën të vetëdijshëm për vuajtjen dhe tmerrin që ne si qenie njerëzore mund të shkaktojmë ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë Papa teksa ka vizituar Parkun e Bombës Bërthamore në Nagasaki.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fundjava u shpall “armëpushim” politik me mazhorancën e Edi Ramës…