Paraburgim ndaj tre personave të dyshuar për ushtrim ndikimi

25 maj 2025 | 15:11

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, secilit veç e veç, avokatit B.P., zyrtarit të Gjykatës në Prizren, N.P., si dhe qytetarit B.K.

Tre të dyshuarit janë arrestuar më 22 maj nën dyshimini për ushtrim ndikimi.

Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale.

Në njoftim është thënë se të pandehurit tentuan t’i mashtrojnë viktimat kinse duke ushtruar ndikim në vendimmarrje të prokurorit.

“…ku të pandehurit tregojnë këmbëngulësi në kryerjen e veprës, aq sa përveç komunikimeve fizike dhe telefonike, ata tentojnë ti mashtrojnë viktimat se kinse janë duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në vendimarrje të prokurorit të shtetit, të cilëve u kërkojnë të holla me të cilat arrestohen në flagrancë”, është thënë në njoftim.

Sipas Gjykatës, i pandehuri B.K rezulton se ka të kaluar kriminale, me të paktën 13 vepra të kryera.

“Po ashtu duke marrë parasysh pozitat që kanë mbajtur për kohë të gjatë në një rreth të ngusht siç është qyteti i Prizrenit, afërsinë shoqërore pa përjashtuar edhe atë miqësore që kanë me zyrtarë, të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar drejtpërdrejtë në dokumentacionin dhe në dëshmitarë, të cilët i njohin personalisht, shto këtu faktin se në bazë të dhënave nga data baza policore i pandehuri B. K. rezulton me të kaluar kriminale, të njëjtit i figurojnë 16 vepra penale, nga këto 13 vepra penale – mashtrimi, ndërsa dy të pandehurit mbanin pozita në sistem të drejtësisë (avokat dhe zyrtar i gjykatës në Prizren)”, ka njoftuar gjykata.

Më këto veprime, të tre të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prizren.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mërkurën, më 28 maj,do të lëshohet në përdorim vendkalimi…