Paralajmërimet e Faucit, të papranueshme

14 maj 2020 | 09:44

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se paralajmërimi i ekspertit për sëmundje infektuese, Anthony Fauci, rreth lehtësimit të masave kufizuese shumë shpejt, ka qenë i papranueshëm. Ai ka akuzuar Faucin se dëshiron “të luajë të gjitha anët e ekuacionit” në dëshminë që ka bërë para ligjvënësve të martën.

Presidenti ka thënë se ka qenë tejet i pakënaqur me deklaratën e Faucit rreth hapjes së shkollave shumë shpejt. “Unë kam qenë i befasuar nga përgjigjja e tij, sepse nuk ka qenë përgjigje e pranueshme, sidomos kur është fjala për shkollat”, ka thënë presidenti para gazetarëve.

Fauci ka theksuar se është e rëndësishme të mos mendohet se fëmijët janë plotësisht imunë ndaj efekteve të koronavirusit.

Presidenti amerikan synon të lejojë kthimin e banorëve të Shteteve të Bashkuara në punë, andaj edhe ka përshëndetur vendimet e disa guvernatorëve që mendojnë njëjtë.

Fauci ka thënë të martën para Kongresit se rihapja e parakohshme e ekonomisë amerikane mund të rezultojë me shpërthime të tjera të koronavirusit.

Drejtori i Institutit Kombëtar për Sëmundje Infektuese dhe Alergji ka paralajmëruar një panel të Senatit amerikan se shtetet duhet t’i ndjekin rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë dhe të presin derisa të ulet numri i të infektuarve para rihapjes.

“Nëse disa zona, qytete apo shtete, hapen para kohës, pa pasur kapacitetet që të përgjigjen me efikasitet, shqetësimi im është se ne do të shohim shenja të vogla që mund të kthehen në shpërthime. Pasojat mund të jenë shumë serioze”, ka deklaruar ai.

Sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, ka infektuar 1.4 milion persona në Shtetet e Bashkuara dhe ua ka marrë jetën 84 000 vetave.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mërkurën Bundestagu debatoi për zgjatjen e misionit të Bundeswehrit…