Paralajmërohet formimi i një komisioni hetimor për shuarjen e kësaj Task-Forcës Anti-Korrupsion

27 tetor 2020 | 17:03

Në mbledhjen e së martës të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, kryesuar nga Fatmire Kollçaku, kryetare e komisionit, u diskutua lidhur me zhvillimet në Policinë e Kosovës.

Kollçaku ka sqaruar fillimisht se i ftuar për raportim në këtë komision ishte ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, por ai nuk i është përgjigjur ftesës së komisionit për datat e caktuara, madje as nuk ka përcaktuar ndonjë datë tjetër alternative.

Megjithatë, ky komision ka vazhduar me diskutimin për temat për të cilat ishte i ftuar ministri Veliu të japë sqarime, duke shprehur kritika për mosraportim të tij në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.

Shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe shuarja e Task-Forcës Antikorrupsion, ishin çështjet e vetme në të cilat u fokusua komisioni, duke u shfaqur qëndrime të ndryshme për këto çështje.

Tutje, u dhanë edhe disa propozime lidhur me këtë, me theks të veçantë që të formohet një komision hetimor lidhur me shuarjen e kësaj Task-Forcës Anti-Korrupsion, ndërkaq pati edhe propozime që komisioni të ftojë për interpelancë në Kuvend ministrin Veliu, për shkak të mosraportimit në Komision dhe për zhvillimet në Policinë e Kosovë.

Ndërkaq, në vijim u kërkua që Komisioni të nënshkruajë për mbajtjen e kësaj interpelance, si dhe të iniciojnë çështjen për formimin e komisionit hetimor parlamentar për zhbërjen e Task-Forcës Antikorrupsion.

Pas një debati të gjerë, Komisioni formoi grupin e punës lidhur me Projektligjin për deminimin humanitar, ndërkaq u bë e ditur se pas mbledhjes, Komisioni do të zhvillojë një vizitë pune në pikën kufitare në Merdare, lidhur me zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të asgjësojë materialet zgjedhore…