Parlamenti letonez e cilëson Rusinë si shtet sponsorizues i terrorizmit

11 gusht 2022 | 14:40

Ligjvënësit në Letoni e kanë cilësuar Rusinë si shtet sponsorizues i terrorizmit, duke përmendur si arsye pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës, aktivitetet e saj ushtarake në Siri dhe disa raste të helmimit të kritikëve të Kremlinit.

Parlamenti letonez të enjten e ka miratuar rezolutën për Rusinë. Në favor të kësaj rezolute kanë votuar 67 deputetë, ndërsa 16 abstenuan.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka shkruar në rrjetin social “Telegram” se rezoluta e Letonisë ishte “ksenofobe”. Përmes rezolutës, ligjvënësit dënojnë “dhunën e Rusisë kundër civilëve në përpjekjet e shtetit për të përfituar politikisht” dhe dënojnë përdorimin e municioneve të ndaluara “për të mbjellë frikë dhe për të vrarë civilët pa dallim”.

Parlamenti i Letonisë, përmes rezolutës, u ka bërë thirrje edhe shteteve të tjera që t’i bashkohen në këtë vendim.

Po ashtu, Letonia i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndalojë lëshimin e vizave për shtetasit e Rusisë dhe Bjellorusisë, duke theksuar se pushtimi rus i Ukrainës po kryhet “me mbështetjen dhe përfshirjen e regjimit bjellorus”.

Qëkur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, Ukraina ka thënë se Moska po përdor territorin bjellorus për të kryer sulme ajrore ndaj territorit ukrainas.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Isuf Sadiku, konfirmoi për…