Partitë politike nuk tregojnë se nga i marrin paratë

20 prill 2018 | 10:54

Transparenca rreth burimeve dhe shpenzimeve financiare të partive politike në Kosovë vazhdon të mbetet kërkesë e Komisionit Evropian, e cila është përsëritur edhe në Raportin e Progresit të publikuar ditë më parë.

Partitë politike thuhet të kenë vazhduar të mos i bëjnë publike raportet e tyre financiare, ashtu siç edhe është paraparë me Ligjin për financimin e subjekteve politike.

Mbikëqyrja e dobët dhe transparenca e kufizuar e partive ishte kritikuar edhe nga organizatat e tjera ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë.

Shmangia e publikimit të burimeve të financimit dhe qarkullimit financiar nga përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, thuhet se ka të bëjë me atë se brenda këtyre financave të panjohura të partive politike ka diçka të dyshimtë.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se raportet financiare të partive politike vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe nuk publikohen në uebfaqen e tyre.

Ai ka thënë se niveli i transparencës dhe llogaridhënies karshi financimit të partive politike është në pikën zero.

“E gjithë kjo bëhet qëllimisht për shkak se në përgjithësi dhe në bazë të hulumtimeve që ne i kemi zhvilluar, tregon se partitë politike, përveç se shpenzojnë paratë që marrin nga buxheti i Kosovës, shpenzojnë edhe para që i marrin nga bizneset. Kjo ka krijuar një lidhje klienteliste në mes të partive politike dhe bizneseve të caktuara të cilat fillimisht u japin para partive politike, pastaj këto i marrin shumëfish përmes tenderimit publik”, ka deklaruar Demhasaj.

Në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që duhet ta përmbajë bilancin e gjendjes, pasqyrën e fitimit dhe të humbjes, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë.

Në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se katër milionë euro. Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi i Gjimnastikës “Fushë-Kosova” ka pasur një zhvillim të mirë,…