Pas dy takimeve, partitë lodhen nga tryezat

13 maj 2018 | 17:26

Kanë mjaftuar dy tryeza të partive politike për të konstatuar se nga mënyra të tilla të diskutimeve nuk mund të arrihen pritjet e dëshiruara.

Përderisa partitë në pushtet kanë pritur që tryeza të tilla të jenë mundësi për arritjen e konsensusit në mbështetje të politikave aktuale qeverisëse në lidhje me dialogun me Serbinë dhe formimin e Asociacionit të komunave serbe, nga opozita pritjet ishin që të arrihej konsensus rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Tryeza e parë, ishte thirrur nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kurse e dyta nga njëra prej partive në pushtet, përkatësisht nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Pas takimit të dytë, ka dalë si ide edhe themelimi i grupeve punuese që do të hartonin platforma politike të cilat më pas do të diskutoheshin në nivele partiake dhe në fund të nivel të institucioneve për miratim.

Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se pavarësisht se a do të formohen apo jo grupet për hartimin e planeve për tema të përfolura, si dialogu, asociacioni, reformat zgjedhore dhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga to, sipas tij, nuk mund të ketë asgjë relevante.

Hoti ka thënë se aktualisht në Kuvend nuk ka një shumicë parlamentare dhe pa shumicën parlamentare, nënvizoi ai, nuk mund të udhëhiqen institucionet.

“Duhet të dakordohemi se si vendi të shkojë në zgjedhje të reja dhe gjatë kësaj periudhe duhet të merremi vesh se si duhet të adresohen temat e rëndësisë nacionale në mënyrë që të mos paralizohen institucionet. Kjo është krejt esenca e këtyre tryezave. Çdo gjë tjetër që shkon përtej tyre, Lidhja Demokratike nuk i mbështetë dhe nuk bëhet pjesë e tyre”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se takimet në mes të partive politike, mund të vazhdojnë, por qëllimi sipas tij, është që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje me një dakordim të përbashkët për datën.

Hoti ka thënë se qëllimi i LDK-së është që vendi të ketë institucione legjitime dhe funksionale.

“Mbledhjet e Kuvendit dështojnë, nuk ka kuorum. Mbledhjet e komisioneve parlamentare kanë nisur të dështojnë. Javën e kaluar edhe mbledhja e Qeverisë dështoi. Pra, është një krizë”, ka thënë Hoti.

Nga ana tjetër, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti kjo që bën pjesë dhe udhëheqë me Qeverinë e Kosovës, kanë thënë se për çështjen e zgjedhjeve nuk ka gatishmëri, madje as të bisedohet.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, i cili ka qenë pjesë e këtyre takimeve, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se tema për dialogun me Serbinë, ajo për ushtrinë e të tjera janë më të rëndësishme sesa çështja e zgjedhjeve.

Isufi ka theksuar se tashmë nga pajtimi i arritur në takimin e fundit të partive politike, do të formohen komisione të cilat në hollësi do t’i bëjnë planet për diskutimin e temave.

Ai ka thënë se për temat e rëndësime, Qeveria ka plane dhe strategji, por ato që mund të dalin nga partitë politike do të mund të bashkohen që të ketë sa më shumë rezultate.

“Sinkronizohen elementet të cilat do të mund të jenë në një platformë që të kenë një përmbajtje sa më të detajuar, për shkak se është parë se në të kaluarën ka pasur gabime në hapa, pikërisht duke mos u formuar një konsensus të përbashkët mes partive politike në Kosovë”, ka thënë Isufi.

Edhe në partinë e re, Partia Socialdemokrate (PSD), kanë thënë se vendi është në krizë dhe si parti do të mundohen që vendin ta nxjerrin nga kjo gjendje. Deputeti Frashër Krasniqi ka thënë se PSD-ja në vazhdimësi do të jap rekomandime dhe do të merr pjesën këto takime.

“Sa u takon rekomandimeve do t’i bëjmë të qarta në këto tryeza. Ne kemi krijuar tash një formë në lidhje më çështjen e dialogut edhe në lidhje me çështjen se si e shohim organizimin shoqëror në Kosovë për t’i tejkaluar disa probleme si rezultat i të cilave kemi ngërç dhe krizë politike”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka hedhur kritika në drejtim të LDK-së duke thënë se nuk po arrin që të tregohet serioze në qëndrime dhe veprimet e saja karshi gjendjes aktuale politike.

“Mendoj se duhet të ketë një qartësim nga ana e LDK-së e cila nuk po duket aspak serioze në nismën e saj, ngase faktikisht në fillim doli me idenë që të shkoj në mocion votëbesimi për qeverinë, kurse tash nuk qëndron mbrapa kësaj ideje. Kështu që po duket se nuk ka asnjë përpjekje opozitare”, është shprehur Krasniqi.

Tryezat e organizuara nga partitë politike për të diskutuar çështjet, të cilësuara si madhore, sipas njohësve të zhvillimeve politike në Kosovë, nuk pritet të sjellin ndonjë rezultat.

Sipas tyre, te partitë politike ka dallime dhe mospajtime të mëdha për tema të rëndësishme, andaj edhe parashihet se do të jetë vështirë të arrihen kompromise, qoftë për një platformë unike rreth bisedimeve me Serbinë, reformat zgjedhore apo edhe ndryshimet kushtetuese.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy ditë më parë Ministria e Drejtësisë (MD) dhe Bashkësia…