Pas humbjes së babait, vajza e ish-komandantit Sahit Jashari përjeton një moment krenarie: Bashkëshorti diplomohet si oficer i FSK-së
Vetëm pak javë pas ndarjes nga jeta të babait të saj, ish-komandantit Sahit Jashari, Vlora Jashari ka përjetuar një moment të veçantë krenarie, pasi bashkëshorti i saj, Denisi, ishte në mesin e 12 oficerëve të rinj që diplomuan me sukses dhe u graduan në ceremoninë e organizuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Vlora Jashari ka ndarë një mesazh emocional në rrjetin social Facebook, ku ka folur për trashëgiminë e familjes së saj dhe rrugëtimin e bashkëshortit në shërbim të vendit.
“Që nga fëmijëria kam dashur të trashëgoj diçka nga babai im: idealin, përkushtimin dhe dashurinë për atdheun. Duke qenë se ai ishte ndër themeluesit e UÇK-së, rrugëtimi i tij ka qenë gjithmonë frymëzim për mua”, ka shkruar ajo.
Ajo ka shtuar se, ndonëse nuk e ndoqi vetë rrugën ushtarake, zgjodhi një partner që i shërben vendit me të njëjtin përkushtim.
“Ndoshta nuk e ndoqa vetë këtë rrugë, por zgjodha një partner që i shërben vendit me të njëjtin përkushtim dhe nder. Sot, teksa ai diplomohet në Akademinë Ushtarake, ndihem krenare jo vetëm për suksesin e tij, por edhe sepse shoh të vazhdojnë vlerat që kam admiruar gjithmonë”, ka shkruar Vlora Jashari.



