Pas inspektimit, anija e parë me drithë nga Ukraina niset drejt Libanit

03 gusht 2022 | 14:14

Inspektimi i anijes së parë që transportonte drithin ukrainas ka përfunduar dhe ajo së shpejti pritet të kalojë përmes ngushticës së Bosforit për në destinacionin e saj përfundimtar në Liban.

Kjo po bëhet sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja për të rifilluar eksportet e grurit nga vendi i shkatërruar nga lufta.

Anija transportuese, “Razoni”, që është e regjistruar në Sierra Leone ka arritur në brigjet turke paraditen e 3 gushtit. Ajo po transporton “mbi 26 000 tonë metrikë” misër.

Ministria turke e Mbrojtjes ka thënë të mërkurën se inspektimi u krye nga një ekip prej 20 personash. Sipas marrëveshjes, inspektimi i drithit bëhet nga një qendër e posaçme e përbashkët koordinimi, e përbërë nga zyrtarë civilë dhe ushtarakë nga Ukraina dhe Rusia, si dhe delegatë nga Turqia dhe OKB-ja.

Në përputhje me procedurën që palët kanë rënë dakord, inspektimet nuk do të bëhen në vetë portin e Stambollit, por në det, në ngushticën e Bosforit që lidh Detin e Zi me Deti Marmara dhe në detin Egje. Mediat janë paralajmëruar të qëndrojnë larg anijes.

Admirali turk, Ozcan Altunbulak, koordinator në qendrën e përbashkët, ka thënë se “përgatitjet dhe planifikimi” po vazhdojnë për anijet e tjera që pritet të largohen nga portet e Ukrainës. Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por pushtimi i vendit nga Rusia dhe bllokada e saj detare e porteve të Ukrainës i kanë ndaluar dërgesat. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një autobus dhe një multikultivator janë aksidentuar sot rreth orës…