Pas largimit të Listës Serbe, LB-ja kërkon qeveri të unitetit
Lëvizja për Bashkim (LB) ka bërë thirrje për qeveri të unitetit, pas largimit të Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës.
Përmes një komunikate për medie, kjo parti ka ftuar presidentin e vendit që t’i mbledh të gjitha partitë politike dhe të formohet një qeveri e unitetit.
“Lëvizja për Bashkim i bën thirrje presidentit të vendit të thërras partitë politike dhe në bashkëpunim me to të shkohet drejt krijimi të një qeverie të unitetit, e cila nuk do të ishte peng i Listës Serbe. Mandati i kësaj qeverie do të ishte i kufizuar, por do të duhej që të çonte përpara disa prej problemeve kryesore që e mundojnë vendin siç janë bisedimet me Serbinë, krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe një reformë zgjedhore”, ka vlerësuar LB-ja, duke shtuar se kjo qeveri e tillë do të duhej të ndërtonte një platformë të re për bisedimet me Serbinë.
“Sa nuk është bërë vonë, detyrë mbi detyrat e kësaj qeverie do të ishte të ndërronte kornizën politike të bisedimeve të deritanishme me Serbinë. Kjo qeveri do të duhej të ndërtonte një platformë të bisedimeve, e cila për bazë do të kishte parimin e reciprocitetit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në bazë të këtij parimi do të duhej që të gjendeshin të njëjtat zgjidhje për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën me Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin-Potokun. Sa më shumë e zgjasim me logjikën e tanishme të bisedimeve do të rrezikojmë të mbesim edhe një kohë të gjatë peng i problemeve të pazgjidhura me Serbinë dhe serbët”, është theksuar në komunikatën e LB-së.