PDK-ja: Komuna e Fushë Kosovës manipuloi me pronat e fshatit Miradi e Epërme

10 maj 2019 | 15:06

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike (PDK) në Fushë Kosovë, Rrahim Ternava, ka thënë se Komuna e Fushë Kosovës ka privuar nga e drejta e shfrytëzimit të pronës, banorët e Miradisë së Epërme, pasi ka grabitur nga ky fshat 33 hektarë pronë shoqërore, për t’ua ndarë atë banorëve të fshatrave përreth dhe atyre të Batusës së Graçanicës, si kompensim për parcelat që u ishin marrë këtyre vendbanimeve për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica.

Në një konferencë për medie, Ternava ka thënë se dëmi që u është shkaktuar banorëve nga komuna, dyshohet se kap shifrën rreth pesë milionë euro.

Ai ka kërkuar nga organet kompetente që ta trajtojnë drejt këtë çështje, që prona në fjalë t’u kthehet banorëve që të mund ta shfrytëzojnë për nevojat e tyre dhe të fshatit.

“Qytetarët e Miradisë së Epërme që nga viti 2008 kur nisi ky proces në dëm të tyre, nuk kanë reshtur së kërkuari të drejtën e vet për këtë pronë, me numër të ngastrës kadastrale P-72514014-00124-, zonë kadastrale me sipërfaqe 33.829 hektarësh, apo sipërfaqe 338291 m katrorë”, ka thënë Ternava.

Ai ka theksuar se çdo kërkesë e banorëve në adresë të komunës dhe institucioneve të drejtësisë nuk është marrë parasysh, pavarësisht dëmit që kanë pësuar banorët e këtij fshati me privimin nga e drejta për t’i shfrytëzuar këto parcela.

Më tej, Ternava ka shpjeguar se në vitin 1965 këto toka u ishin marrë prodhuesve individualë të fshatit për ruajtjen e kooperativave bujqësore, ndërkaq me ultimatum të institucioneve të atëhershme dhe me vendim të Qeverisë së Kosovës, kjo parcelë njihet si pronë shoqërore e fshatit Miradi e Epërme.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Drenasit në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale të Mbeturinave…