PDK-ja mbledh nënshkrimet për shfuqizimin e vendimit për pronat në Badoc
Shefi i asamblesë së PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka bërë me dije se PDK-a në Prishtinë ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për shfuqizimin e vendimit për pronat në Badoc.
Ai ka theksuar se ka tre orë që kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve, dhe derisa PDK-ja po merrte nënshkrimet e nevojshme në terren, LV-ja doli me njoftim publik për iniciativë të njëjtë.
“Kemi më shumë se tre orë prej që kemi filluar procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shfuqizimin e vendimit të dëmshëm për Badovc, me arsyetimin e bashkëngjitur. LV-ja kishte thënë publikisht se e mbështetë nëse marrim konfirmimet e nevojshme ligjore dhe iu qasëm në bazë të fjalëve të tyre publike për të vepruar për të mirën e përbashkët. Derisa po merrnim nënshkrimet e nevojshme në terren, pamë që LV-ja doli me njoftim publik për iniciativën e njëjtë. Shumë mirë. Për ne nuk ka pasur asnjëherë rëndësi kush thërret mbledhje. Këtë e kemi dëshmuar edhe me rastin e mbledhjes për faljen e tatimit në pronë. Nuk kemi nevojë as tash për protagonizmin e njëjtë. Ne mbështesim cilëndo thirrje për anulimin e vendimit”, ka shkruar Retkoceri në “Facebook”.



